Lidhja e francezit Benjamin Pavard me modelen kosovare Kleofina Pnishi vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes, jo vetëm për romancën e tyre, por edhe për mënyrën e veçantë se si ata shprehin dashurinë ndaj njëri-tjetrit.

Gjatë ndeshjes mes Olympique de Marseille dhe RC Lens, e cila përfundoi në barazim pa gola, Pavard realizoi një gjest të ndjeshëm dhe plot simbolikë për partneren e tij. Pas përfundimit të takimit, ai u kthye nga tribunat ku ndodhej Kleofina dhe bëri me duar simbolin e shqiponjës dykrenare, në shenjë dashurie dhe respekti për origjinën e saj shqiptare.

Kleofina nuk e la pa e ndarë këtë moment me ndjekësit e saj në Instagram, duke publikuar videon ku Pavard i dërgon përshëndetjen e veçantë. Pamjet u përhapën shpejt në rrjet, ndërsa fansat e çiftit i kanë cilësuar si një ndër çiftet më simpatikë dhe të sinqertë të momentit.

Ky nuk është gjesti i parë i tillë nga kampioni i botës me Francën. Në shtator, Pavard kishte festuar golin e tij të parë me Marseille po me simbolin e shqiponjës, një dedikim i hapur për Kleofinën, që atëherë u kthye në kryelajm në mediat shqiptare.