Maya Henry është ish-e fejuara e Liam Payne, i cili ndërroi jetë në moshën 31-vjeçare pasi ra nga ballkoni i katit të 3 të hotelit ku qëndronte në Argjentinë.

Ish-partnerja e këngëtarit të ndjerë pretendon se Liam e kishte parashikuar vdekjen e tij vetëm disa ditë para se të humbte jetën.

Ish-anëtari i “One Direction” ra nga kati i tretë i hotelit “CasaSur Palermo” në Buenos Aires, ku pësoi lëndime të rënda. Autoritetet e gjetën të vdekur në vendngjarje.

Ndërkohë Maya Henry, e cila ishte në një lidhje me Payne nga viti 2018 deri në vitin 2022, foli për betejat e këngëtarit me shëndetin e tij mendor dhe abuzimin që ajo dyshohet se pësoi prej tij.

“Pasi u ndamë, ai më dërgonte mesazhe duke më thënë nuk jam mirë”, zbuloi ajo, duke shtuar: “Ai gjithmonë ‘luante’ me vdekjen, duke thënë do të vdes.”

23-vjeçarja tha se i shihte mesazhet si një “taktikë manipuluese” për t’a bërë të ndihej keq për faktin se ata nuk ishin më bashkë.

Maya tha se i kishte ofruar ndihmë të ndjerit por ai nuk e kishte pranuar. Madje ajo shtoi se Liam telefononte shpesh mamanë e saj për ti thënë që Henry t’a kontaktonte pasi kjo e fundit nuk i përgjigjej.

Në ditët para vdekjes së tij, Maya thotë se shëndeti mendor i këngëtarit britanik ishte përkeqësuar ndjeshëm, megjithëse ajo nuk dha detaje të tjera.

“Ai gjithmonë më thoshte më vjen keq për gjithçka që kam bërë. Nuk mund të jetoj më, e shihja si një përpjekje të tij për të më traumatizuar,” tha ish-partnerja e të ndjerit.

“E njihja stilin e jetës së tij dhe e dija që në një moment do të ndodhte diçka e keqe. Kjo është arsyeja pse unë gjithmonë kam thënë ok, ai po i thotë këto gjëra, unë duhet ta ndihmoj, sepse nëse nuk e bëj dhe ndodh diçka e keqe nuk e di a do ta përballoj”, theksoi ajo.