I ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë Bledi Mane, për një bisedë të sinqertë dhe pa filtra, siç vetëm ai di…
Çfarë mendimi ke për shqiptarët që bëjnë si homofobë?
Unë kam bërë dhe një debat me Alfred Cakon tek “Rrethi katror”, sepse Ligji i Barazisë Gjinore nuk kishte asgjë nga këto që u hodhën në treg, asgjë. Jo se mbroj atë Parlament hajdutësh, por para se të ndizen debatet, të kenë një bazë. Më vjen keq për pastorin Akil Pano, ka marrë flamurin e homofobizmit dhe është diçka që në mos një ditë, një ditë tjetër do ketë një lloj kostoje. Po t’i vësh re thellë-thellë, këta që ulërasin paradite, këta bëjnë namin e zi nga darka. I ke homoseksualët më të zjarrtë. Është teori e vjetër e kristianizmit, bëj zhurmë për të larguar vëmendjen dhe pastaj futu aty tek bodrumi dhe bëj namin. Kështu që, nuk i takon një pastori, nuk i takon një imami, një prifti, një gazetari që të bëjë këtë rol. Këto 10 vitet e fundit që është bërë zhurmë pamasë, është shtuar numri i homoseksualëve apo është pakësuar? Është shtuar. Është shtuar numri i burrave që veshin fustane apo është pakësuar? Është shtuar. Është shtuar tendenca e homofobisë apo është pakësuar? Është shtuar, është shtuar zhurma. Është shtuar numri i vajzave lezbike apo është pakësuar? Është shtuar. Është shtuar numri i eskortave apo është pakësuar? Është shtuar. Është shtuar numri i drogaxhinjëve apo është pakësuar? Bixhozxhinjtë janë rritur apo janë pakësuar? Atëherë, ku shkon gjithë kjo propagandë, e dëgjon njeri? Ne tani kemi homoseksualë nga Vatikani në Pentagon, nga qeveria shqiptare, në qeverinë greke, italiane, britanike, në vende arabe. Kështu që kjo lloj zhurme i shkonte dikur në shekullin e 18-të dhe 19-të, kur kisha kishte pushtet absolut, ishte dhe gjykatë, ishte dhe prokurori, ishte dhe spital. Nuk është koha e duhur për të bërë zhurmë. Tregon që hapësirat e lirisë janë shtuar. Duke shtuar hapësirat e lirisë, sa më shumë zhurmë bëhet, aq më shumë bëhet punë. Kështu që, kush ka ndërmend të vishet me fustan, nuk do dëgjojë as Dorina Memën, as pastor Akilin, as Alfred Cakon, as Gaz Bardhin, as Sali Berishën, as Edi Ramën. Ka të bëjë me një çështje të lirisë personale. Nëse ti nuk e flet me një shok a me një shoqe, ti në darkë do e flasësh me ChatGPT, do e pyesësh: ‘Çfarë ndjej unë? Pse unë jam i tillë?’ Pra, është mirë njëherë të njohësh veten. Dhe këta bërtistësit, ose kanë ndonjë homoseksual në shtëpi, ose kanë ndonjë bashkëshorte lezbike, ose kanë ndonjë brengë nga fëmijëria që nuk e realizuan dot, ndonjë dashuri të fshehur dhe kur e shikojnë sot shokun ose shoqen që e kanë dashur, u plas shpirti. Dhe çfarë bëjnë? Dalin tek sheshi Skënderbej dhe bërtasin për vlerat e familjes.
