Plazhet në Rivierën Shqiptare po bëhen gjithnjë e më të populluara, por nëse shkoni më në brendësi të vendit, do të zbuloni fshatra të qetë, lumenj të egër dhe aventura të pazakonta, shkruan Laura Sanders në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “The Times”.
Pothuajse 12 milionë njerëz vizituan Shqipërinë vitin e kaluar, shumë prej të cilëve u drejtuan drejt Rivierës me premtimin e një pushimi të përballueshëm në plazh.
“Undiscovered Balkans”, një kompani e vogël britanike udhëtimesh e specializuar në aventura të pazakonta, rekomandon ture në grupe të vogla – për të zbuluar disa nga thesaret më pak të njohura të jugut të Shqipërisë.
Laura Sanders – së bashku me “Undiscovered Balkans”, mori pjesë në një tur shtatëditor në jug të Shqipërisë (1,195 paund për person).
U bashkova me turin në maj dhe kalova një javë duke eksploruar qytetet bregdetare – përpara se të zhytesha në brendësi të vendit – ku vizitova vendet e trashëgimisë botërore të UNESCO-s, notova në ujëvarat e fshehura, qëndrova me fermerë në male dhe lundrova me rafting në një nga lumenjtë e fundit të egër të Evropës.
Ne përfunduam udhëtimin në plazhet me guralecë pa turma vizitorësh, 200 metra mbi nivelin e detit, në një fshat në brigjet e Liqenit të Ohrit.
Mbërrita në Qeparo, një nga fshatrat më të qetë bregdetarë në qarkun e Vlorës, pas një udhëtimi tre-orësh me makinë nga Tirana.
U zgjova me pamje nga Qeparoja e Vjetër, fshati bujqësor në shpatin e kodrës, që zbriste nga mali për të takuar Qeparoin e Ri në bregdet, ku baret e plazhit dhe qendrat e marrjes me qira të varkave po përgatiteshin për sezonin.
Mikpritësja jonë ishte Mirela Kokëdhima – e cila drejtonte bujtinën në fermën e saj në majë të kodrës, diku midis dy Qeparove.
Ajo na shërbeu vezë, djathë dhie, kos, sallatë, ëmbëlsira me çokollatë të bëra në shtëpi, salçiçe dhe kafe turke.
Në këtë fillim sezoni, deti ishte shumë i trazuar për të lundruar me kajak, kështu që e kaluam ditën e parë duke ecur përgjatë bregdetit.
Grupi ynë prej tetë britanikësh, me moshë nga 30-50 vjeç, eci përgjatë shkëmbinjve gëlqerorë karstikë me pamje epike të fshatrave tradicionalë dhe ujërave të kristalta.
Aroma e luleve të egra ndihej kudo dhe zogjtë cicëronin nga degët aty pranë.
Nëntë milje më vonë zbritëm në plazhin e Borshit dhe i zhytëm këmbët e lodhura në ujin e freskët të Jonit, duke shijuar një birrë në dorë.
Të nesërmen iu bashkuam guidës sonë, Alfi Pepaj, për një aventurë piktoreske drejt Gjirokastrës, një qytet i epokës osmane i përfshirë në listën e trashëgimisë botërore të UNESCO-s.
Pamja ishte e gjitha fantastike, maja të mbuluara me gjelbërim dhe livadhe të gjera – pa askënd përreth për kilometra të tëra.
Gjatë rrugës, ndaluam në një ujëvarë. Një orë më vonë mbërritëm në Gjirokastër dhe u magjepsëm menjëherë.
Ne u akomoduam në një hotel të stilit osman. Në ditët e sotme, shumica do ta njohin Gjirokastrën për qytetin e saj të vjetër tradicional dhe pazarin, i cili ngjan me Mostarin e Bosnjë-Hercegovinës ose Krujën e Shqipërisë veriore.
