Mediumi i njohur italian “Corriere della Sera” i ka kushtuar një artikull këngëtarit nga Kosova, Yll Limani, duke shkruar për karrierën e tij dhe ngjitjen në skenën muzikore shqiptare. Në artikull, Limani përshkruhet si një nga emrat më të dalluar të skenës së re pop shqiptare dhe një prej artistëve më të ndjekur.

Mediumi italian rikujton edhe fillimet e karrierës së tij, me pjesëmarrjen në sezonin e parë të “The Voice of Albania” në vitin 2011, si dhe pjesëmarrjen në “Festivali i Këngës” në vitin 2016, ku u rendit i treti. Sipas “Corriere della Sera”, Limani sot ka rreth 700 mijë dëgjues mujorë në Spotify, ndërsa këngët e tij kanë mbledhur miliona klikime.

Kënga “Malli”, shkruan mediumi, ka kaluar mbi 30 milionë transmetime. Artikulli ndalet edhe te evoluimi i stilit të tij muzikor. Limani e nisi karrierën me balada të ngadalta dhe romantike, ndërsa më vonë iu afrua tingujve pop dhe R&B. Në kuadër të turneut “Thirrëm Sot ose Nesër”, të titulluar sipas albumit të tij të fundit, Limani do të performojë në disa vende, përfshirë Maqedoninë e Veriut, Gjermaninë, Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara.