Meghan Markle në qendër të kritikave; një gjest i pavend dhe mungesë respekti ndaj Princeshës Diana? Çfarë bëri?
Bashkëshortja e Princit Harry, Meghan Markle, është vënë në shënjestër të kritikave pasi publikoi një video në profilin e saj në “Instagram”. Aty, ajo shihej duke udhëtuar me një limuzinë në Paris, ndërkohë këmbët i mbante të ngritura.
Dukesha e Sussex e kishte realizuar videon vetëm pak metra larg tunelit Pont d’Alma, ku Princesha Diana humbi jetën në gusht të vitit 1997.
Pamjet, të cilat duket se janë filmuar nga këndvështrimi i vetë Meghan Markle, e tregojnë atë teksa kalon përgjatë urave të njohura mbi Senë, përfshirë Pont Alexandre III dhe Pont des Invalides.
Ky detaj ka ngjallur reagime të forta, pasi videoja u shpërnda me 4.2 milionë ndjekësit e saj, pikërisht pranë vendit ku ndodhi tragjedia që shënoi përgjithmonë jetën e Princit Harry.
Publikimi i klipit përkoi me udhëtimin surprizë të Meghan në Paris, në paraqitjen e saj të parë publike në Evropë pas Lojërave Invictus 2023.
Ajo mori pjesë në sfilatën e markës luksoze Balenciaga gjatë Javës së Modës, ku u shfaq pranë figurave të njohura si Anna Wintour, Anne Hathaway dhe regjisori Baz Luhrmann.
Megjithatë, videoja e shpërndarë nga Dukesha shkaktoi indinjatë të menjëhershme. Eksperti mbretëror Richard Fitzwilliams e cilësoi postimin si “krejtësisht çuditshëm”, “jashtëzakonisht budalla” dhe “të pandjeshëm përtej çdo besimi”.
Richard Fitzwilliams gjithashtu sugjeroi se edhe Princi Harry mund ta ketë përjetuar me shqetësim këtë gjest, duke pasur parasysh plagën që i ka lënë humbja e nënës së tij.
“Vdekja e Dianës është një tragjedi që ka lënë gjurmë në pjesën më të madhe të jetës së Harry-t dhe nuk mund ta imagjinoj që ai do ta gjente këtë të përshtatshme”, tha Fitzwilliams.
Kjo polemikë e re e ka rikthyer Meghan Markle në qendër të debatit publik, duke hapur edhe njëherë diskutime mbi marrëdhënien e saj me figurën e ndjerë të Princeshës Diana dhe ndjeshmërinë që kërkojnë gjeste të tilla.