Melania Trump ka reaguar ashpër ndaj pretendimeve që e lidhnin me financierin e ndjerë Jeffrey Epstein, duke i mohuar ato në mënyrë kategorike dhe duke kërkuar që spekulimet “të marrin fund menjëherë”.

Në një deklaratë nga Shtëpia e Bardhë, Zonja e Parë theksoi se çdo aludim mbi përfshirjen e saj në rrethin e Epstein është i pavërtetë dhe i motivuar nga qëllime dashakeqe.

Ajo i quajti këto pretendime “përpjekje të liga për të shpifur reputacionin tim”, duke nënvizuar se nuk ka pasur asnjë lidhje personale apo profesionale me financierin.

Një nga thashethemet më të përfolura ishte se Epstein e kishte prezantuar Melania-n me bashkëshortin e saj, presidentin Donald Trump, por edhe këtë Melania e hodhi poshtë, duke e cilësuar si një narrativë të rreme që synon të manipulojë opinionin publik.

Pavarësisht mohimit të akuzave, Zonja e Parë përqendroi mesazhin e saj te viktimat e trafikimit seksual të lidhura me Epstein. Ajo bëri thirrje për organizimin e seancave dëgjimore në Kongres, ku të mbijetuarit të kenë mundësinë të ndajnë historitë e tyre dhe të kërkojnë drejtësi.

Kjo çështje nuk duhet të përdoret për shpifje apo spekulime, por për të ndihmuar ata që kanë vuajtur realisht

-tha ajo, duke kërkuar më shumë përgjegjësi dhe transparencë nga institucionet.

Deklarata e Melania Trump vjen në një kohë kur skandali Epstein vazhdon të jetë në qendër të vëmendjes publike, duke nxitur debate dhe pretendime të shumta të paverifikuara.

Reagimi i saj pritet të ringrejë diskutimet në arenën publike, ndërsa mbetet për t’u parë nëse do të ketë hapa konkretë drejt hetimeve të reja apo dëgjimeve zyrtare në Kongres.