Një udhëtim turistik në Atlantik u kthye në makth për mjekun amerikan Dr. Stephen Kornfeld, i cili përfundoi duke trajtuar pasagjerët e infektuar me hantavirus në anijen MV Hondius, pasi edhe doktori i anijes u sëmur gjatë shpërthimit të virusit.

Mjeku amerikan kishte nisur udhëtimin për të eksploruar akullnajat dhe ishujt pranë Argjentinës, por situata ndryshoi dramatikisht kur në bord shpërtheu një vatër hantavirusi.

“U gjenda papritur në rolin e doktorit të anijes”, deklaroi Kornfeld për mediat ndërkombëtare. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, deri tani janë konfirmuar pesë raste me hantavirus dhe disa raste të tjera mbeten të dyshuara. Autoritetet paralajmërojnë se mund të raportohen edhe infektime të reja për shkak të periudhës së gjatë të inkubacionit të virusit.

Tre persona kanë humbur jetën në anije, mes tyre një çift holandez i moshuar që dyshohet se u infektua gjatë një vizite në Argjentinë para nisjes së kroçerës.

Në bord ndodheshin rreth 146 pasagjerë dhe anëtarë ekuipazhi, ndërsa anija pritet të mbërrijë në Tenerife pas disa ditësh izolimi dhe monitorimi shëndetësor.

Ekspertët shëndetësorë kanë nisur një operacion ndërkombëtar gjurmimi për dhjetëra pasagjerë që zbritën nga anija para vendosjes së karantinës. Autoritetet po monitorojnë udhëtarë në SHBA, Europë dhe Azi.

OBSH ka theksuar se situata nuk konsiderohet një pandemi si Covid-19 dhe rreziku për publikun mbetet i ulët, megjithëse virusi Andes mund të transmetohet në raste të rralla edhe nga njeriu te njeriu.