Një 22-vjeçar, i cili do të bëhet baba së shpejti, mund të mos e mbajë fëmijën e tij kurrë në krahë. E kjo për shkak të pakujdesisë së ndihmës së shpjete që e ngatërruan goditjen në tru me dehje, dhe që atëherë Ion Chiperi ësthtë në koma.
I riu ishte në shtrat me partneren e tij, Doina, e cila është 8-muajshe shtatzënë, kur papritmas filloi të ndihej keq.
“Një natë ai më zgjoi duke thënë se nuk i ndjente këmbët. Ai mezi fliste”, tha Doina për “Daily Mail”.
E alarmuar, 22-vjeçarja telefonoi shërbimet e emergjencës dhe një ambulancë mbërriti në pronën e tyre në Sevenoaks, Kent.
Pas kontrollit, punëtorët e ndihmës së shpejtë dyshohet se i hodhën poshtë simptomat e tij, të cilat ishin në përputhje me një goditje në tru. Sipas tyre, ai ishte i dehur dhe si pasojë refuzuan që t’a çonin në spital, edhe pse partnerja këmbënguli se ai nuk kishte pirë.
Duke u besuar këshillave të tyre, Doina u kthye në shtrat, e pavetëdijshme se vendimi do ta linte partnerin e saj të luftonte për jetën e tij.
Të nesërmen në mëngjes, ajo u zgjua dhe gjeti Ionin duke nxjerrë shkumë nga goja dhe pa reagim.
“Mendova se ishte i vdekur,” tha ajo.
Një ambulancë e dytë e dërgoi 22-vjeçarin me urgjencë në spital, por edhe atëherë, mjekët thuhet se nuk e morën seriozisht gjendjen e tij – duke i dhënë vitamina dhe duke vazhduar t’a trajtonin “si një person të dehur”.
Ioni mbërriti në spital në orën 9:30 të mëngjesit më 23 shtator, por një skanim i trurit nuk u urdhërua deri rreth orës 7 të mbrëmjes.
Testet më vonë zbuluan një mpiksje gjaku në trurin e tij dhe ai u dërgua për një ndërhyrje kirurgjikale urgjente në orën 9:30 të mbrëmjes.
Operacioni ishte i suksesshëm, por deri atëherë dëmi ishte bërë.
22-vjeçari ka luftuar për jetën e tij që atëherë. Ai nuk mund të lëvizë ose të flasë dhe komunikon vetëm duke rrahur sytë.
Doina thotë se mjekët më vonë pranuan se ndihma e shpejtë kishte “gabuar” dhe se nëse operacioni do të ishte kryer vetëm disa orë më parë, Ioni “do të kishte dalë nga spitali”.
Tani vetëm disa javë larg lindjes, Doina përballet me amësinë e vetme. E reja ka hapur një faqe “GoFundMe” për të ndihmuar në mbulimin e kostos së rehabilitimit dhe shërimit afatgjatë të Ionit.
Nëna e ardhshme gjithashtu planifikon të ndërmarrë veprime ligjore për neglizhencë mjekësore, duke thënë se familja e saj meriton drejtësi.
Familjarët e Ionit shpresojnë se, me mbështetjen e duhur, ai një ditë mund të rifitojë aftësinë për të lëvizur, për të folur – dhe për të mbajtur foshnjën e tij.







