Aktorja legjendare Meryl Streep ka zbuluar një prapaskenë surprizuese nga rikthimi i saj në filmin shumëpritur “The Devil Wears Prada 2”.
Gjatë një interviste në emisionin “Today”, ku ishte së bashku me Anne Hathaway, Emily Blunt dhe Stanley Tucci, ylli i Hollywood-it pranoi se fillimisht kishte refuzuar ofertën për t’u rikthyer si personazhi ikonik Miranda Priestly.

Sipas Streep, sapo lexoi skenarin e kuptoi menjëherë potencialin e madh të projektit dhe se filmi kishte gjithçka për të qenë sukses. Megjithatë, ajo vendosi të thoshte “jo” në fillim.
Aktorja tregoi se më pas vendosi të testonte studion duke kërkuar një pagesë dy herë më të lartë se oferta fillestare. Përgjigjja erdhi menjëherë dhe ishte pozitive, gjë që e bindi të pranonte rikthimin në rol.
Streep zbuloi gjithashtu se në atë periudhë kishte menduar seriozisht të largohej nga aktrimi nëse projektet që i ofroheshin nuk do të ishin mjaftueshëm sfiduese dhe me vlerë artistike.
Roli i Miranda Priestly në filmin origjinal të vitit 2006 u kthye në një nga interpretimet më të paharrueshme të karrierës së saj, duke i sjellë edhe një nominim për Oscar.
Vazhdimi i shumëpritur vjen rreth 20 vite pas suksesit të parë dhe shënon rikthimin e Meryl Streep në një film artistik pas pesë vitesh mungesë, duke rritur edhe më shumë pritshmëritë e fansave në mbarë botën.
