Ka hyrë zyrtarisht në sallën e gjyqit rasti i njohur si “Pandoro-gate”. Procesi ndaj influencueses së famshme italiane, Chiara Ferragni, ka nisur në Milano, ku ajo akuzohet për mashtrim të rëndë lidhur me fushatat e bamirësisë të lidhura me pandoron festiv “Pink Christmas” të markave Balocco dhe Dolci Preziosi.
Sipas Prokurorisë, mesazhet promovuese të shpërndara nga Ferragni dhe kompanitë e saj partnere i bënë konsumatorët të besonin se një pjesë e të ardhurave nga shitjet do të dhuroheshin për bamirësi. Megjithatë, hetimet zbuluan se kontributet ishin të kufizuara dhe të paracaktuara, ndërsa fitimet e padrejta kapnin shifrën e mbi 2 milionë eurove.
Procesi nisi me një seancë teknike me dyer të mbyllura. Përveç Ferragni-t, të akuzuar janë edhe Fabio Maria Damato, ish-bashkëpunëtor i saj i afërt, dhe Francesco Cannillo, president i Cerealitalia-Id (pronare e markës Dolci Preziosi). Ndërkohë, çështja ndaj Alessandra Balocco, CEO e kompanisë Balocco, u pushua për shkak të ndarjes së saj nga jeta.
Prokurorët publikë Cristian Barilli dhe Eugenio Fusco i akuzojnë të pandehurit për përdorim mashtrues të kauzave bamirëse gjatë viteve 2021–2022, përmes postimeve dhe fushatave që, sipas tyre, mashtruan konsumatorët.
Në seancën e parë u paraqit edhe Adriana, një pensioniste 76-vjeçare nga Avellino, e cila vendosi të bëhej palë civile. Ajo kishte blerë pandoro të dizajnuar nga Ferragni, duke besuar se po kontribuonte për bamirësi.
“Ajo donte të dhuronte”, u shpreh avokatja e saj Giulia Cenciarelli, duke shtuar se klientja është një besimtare e devotshme dhe vetëm disa muaj më vonë zbuloi se iniciativa nuk ishte ashtu siç ishte premtuar.
Adriana kërkon 500 euro dëmshpërblim, shumë që ka deklaruar se do ta dhurojë për bamirësi. Megjithatë, nuk përjashtohet mundësia që ajo të pranojë një marrëveshje me mbrojtjen e Ferragni-t.
Dy shoqata konsumatorësh, Adicu dhe Casa del Consumatore, iu bashkuan procesit me padi civile.
Në anën tjetër, Codacons u tërhoq nga çështja, pasi arriti një marrëveshje financiare me Ferragni-n pak muaj më parë. Gjykata, nën drejtimin e gjyqtarit Ilio Mannucci Pacini, do të vendosë më 4 nëntor nëse do të pranojë kërkesat e shoqatave.
Ferragni nuk ishte e pranishme në seancën e parë, por avokatët e saj, Giuseppe Iannaccone dhe Marcello Bana, deklaruan se ajo do të marrë pjesë në seancat e ardhshme “për respekt ndaj drejtësisë dhe për të mbrojtur pafajësinë e saj”. Sipas linjës mbrojtëse, nuk ka pasur shkelje penale, pasi çështja tashmë është mbyllur në aspektin administrativ me pagesën prej 3.4 milionë eurosh në gjoba antitrust dhe donacione bamirësie.
Pas seancës së parë teknike, e cila është shtyrë për më 4 nëntor, gjykata do të vendosë për pranimin e palëve civile. Më pas, të pandehurit do të duhet të zgjedhin mes procedurave alternative (si pranimi i fajësisë me negociata) ose gjykimit të zakonshëm. Një seancë tjetër është planifikuar për më 14 janar, e cila mund të rezultojë vendimtare për të ardhmen e çështjes.
Procesi zhvillohet në një periudhë të vështirë për biznesin e Ferragni-t. Kompania e saj Fenice ka reduktuar ndjeshëm stafin, duke pushuar nga puna tre prej katër punonjësve të mbetur. Ky fakt, sipas mediave italiane, tregon për krizën që ka shkaktuar skandali: rënie të imazhit publik, humbje në shitje dhe një komunikim publik më të rezervuar e më pak tërheqës.