Ndërsa Bruce Willis vazhdon të përballet me demencën frontotemporale, me të cilën u diagnostikua në vitin 2023, vajza e tij, Scout Willis, ka ndarë një moment prekës në rrjetet sociale, duke prekur zemrat e ndjekësve.
Në foton e publikuar në “Instagram”, Scout shihet e ulur në një divan në ambient të jashtëm, së bashku me motrën e saj, Rumer, ndërsa aktori 70-vjeçar qëndron i qeshur mes tyre.

Scout e përqafon babain e saj plot dashuri, ndërsa Rumer i vendos butësisht dorën në kokë.
Familja e Willis kishte njoftuar për herë të parë në vitin 2022 se aktori do të tërhiqej nga aktrimi, pas diagnozës me afazi, një çrregullim që prek aftësinë për të folur dhe për të shkruar.
Një vit më vonë, diagnoza u ndryshua në demencë frontotemporale, një sëmundje neurodegjenerative që prek sjelljen, personalitetin dhe komunikimin
Që nga ajo kohë, Bruce Willis e ka përballuar sëmundjen larg vëmendjes publike, i rrethuar nga dashuria dhe mbështetja e familjes së tij. Krahas bashkëshortes së tij, Emma Heming, gjithmonë pranë tij janë edhe ish-bashkëshortja, Demi Moore, dhe tre vajzat e tyre: Rumer, Scout dhe Tallulah.
Familja vazhdon të ndajë me ndjekësit momente të vogla dhe të sinqerta nga jeta e përditshme, duke i mbajtur të informuar fansat e aktorit për gjendjen e tij dhe duke përçuar mesazhe force, dashurie dhe përkushtimi.