Një letër e shkruar në vitin 1956 ishte fillimi i një miqësie që do të zgjaste plot 70 vite, mes dy vajzave që jetonin mijëra kilometra larg njëra-tjetrës, në Skoci dhe në Shtetet e Bashkuara. Kathleen Bonthron, sot Wilson, ishte vetëm 10 vjeçe kur drejtuesja e grupit të saj Brownies në Glasgow i dha adresën e një vajze amerikane. Shirley Hedtke, një vit më e madhe, jetonte në Wisconsin.

Në një kohë kur interneti dhe telefonat celularë nuk ekzistonin, miqësia e tyre nisi me letra të dërguara përmes postës ajrore. Fillimisht shkruanin disa herë në vit, duke treguar për shkollën, familjet, shoqërinë dhe jetën e përditshme. Me kalimin e viteve, letrat u bënë pjesë e pandarë e jetës së tyre. Ajo që nisi si një njohje mes dy vajzave të panjohura u shndërrua gradualisht në një miqësi të jashtëzakonshme.

Sot Kathleen është 80 vjeç dhe Shirley 81. Për shtatë dekada ato kanë vazhduar të jenë në kontakt, duke kaluar nga letrat te emailet dhe, së fundmi, te WhatsApp-i. Madje miqësia e tyre u bë pjesë edhe e historisë së familjes së Kathleen. Rreth 55 vite më parë, ajo i vendosi vajzës së saj emrin Shirley, në nder të shoqes së saj amerikane. Në familje, dy gratë tashmë njihen si “Shirley America” dhe “Shirley Scotland”.

Pas dekadash komunikimi, dy mikeshat janë takuar vetëm disa herë. Dy takimet e para ishin në Skoci, në vitet 2007 dhe 2019, ndërsa takimi më i fundit ndodhi pak javë më parë në SHBA, ku Kathleen qëndroi për një javë në shtëpinë e Shirley-t në Wisconsin. Pikërisht ky takim i fundit i afroi edhe më shumë.

“Është si një motër për mua”, ka treguar Shirley për BBC-në, duke kujtuar se gjatë gjithë këtyre viteve kanë ndarë me njëra-tjetrën historitë e familjeve, shtatzënitë, fëmijët dhe momentet më të rëndësishme të jetës. Edhe Kathleen e përshkruan marrëdhënien si diçka që ka kaluar prej kohësh kufijtë e një miqësie të zakonshme.

Ato thonë se edhe sot, kur flasin, nuk arrijnë t’i tregojnë kurrë të gjitha historitë që kanë për të ndarë. Dhe miqësia duket se do të vazhdojë edhe te brezi tjetër. Vajzat e tyre kanë vendosur të mbajnë lidhje me njëra-tjetrën, duke vazhduar kështu historinë e dy vajzave që në vitin 1956 nisën të shkëmbenin letra përtej Atlantikut.