Belgjika siguroi një kualifikim dramatik në raundin e 1/16-ave të Kupës së Botës 2026, duke mposhtur Senegalin me rezultatin 3-2 pas kohës shtesë, ndërsa Youri Tielemans hyri në historinë e turneut. Mesfushori belg realizoi penalltinë vendimtare në minutën 124:44, duke shënuar golin më të vonshëm të regjistruar ndonjëherë në historinë e Kupës së Botës, sipas “Opta”-s.
Rekordi u vendos në një nga ndeshjet më dramatike të këtij edicioni, ku Belgjika përmbysi disavantazhin 2-0 në minutat e fundit të kohës së rregullt. Senegali ishte shumë pranë kualifikimit, por Romelu Lukaku ngushtoi shifrat në minutën e 86-të, ndërsa Tielemans barazoi vetëm pak minuta më vonë për ta çuar sfidën në shtesa. Në sekondat e fundit të shtesës, pas një penalltie të akorduar me ndihmën e VAR-it, kapiteni belg u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke vulosur fitoren 3-2 dhe duke vendosur një rekord historik.
Me golin e shënuar në minutën 124:44, Tielemans la pas çdo rekord të mëparshëm për golin më të vonshëm në historinë e Kampionateve Botërore, duke e bërë këtë sfidë një nga më të paharrueshmet e turneut. Belgjika do të përballet tashmë me Shtetet e Bashkuara në raundin e 1/16-ave.



