Një mësuese 42-vjeçare nga Misuri i Shteteve të Bashkuara ka humbur vendin e punës pasi u zbulua se, krahas mësimdhënies, krijonte përmbajtje erotike në platformën OnlyFans së bashku me bashkëshortin e saj. Por ajo që fillimisht dukej si fundi i karrierës së saj në arsim, është kthyer në një mundësi të papritur financiare, pasi shkarkimi i ka shumëfishuar popullaritetin dhe të ardhurat në internet. Sina Sitner, nënë e tre fëmijëve të moshave 9, 18 dhe 22 vjeç, punonte si mësuese në një shkollë fillore, ndërsa në kohën e lirë publikonte video për të rritur në OnlyFans. Aktiviteti i saj u zbulua në shtator dhe drejtuesit e shkollës vendosën ta largonin nga puna.

Në një intervistë për The Washington Post, ajo shpjegon se vendimi për t’iu bashkuar platformës nuk kishte të bënte me dëshirën për famë, por me nevojën për të përballuar shpenzimet familjare. Si mësuese, Sitner fitonte rreth 140 dollarë në ditë, ndërsa në OnlyFans mund ta siguronte të njëjtën shumë brenda një ore. Kreditë studentore, shpenzimet për shkollimin e fëmijëve dhe faturat e përditshme kishin krijuar një barrë financiare që paga e saj në arsim nuk arrinte ta mbulonte.

“Na ka ndryshuar financiarisht në mënyra shumë pozitive”, shprehet ajo për aktivitetin në OnlyFans. Megjithatë, Sitner këmbëngul se e donte profesionin e mësueses dhe se lidhja me nxënësit ishte një nga pjesët më të rëndësishme të jetës së saj. “I dua këta fëmijë”, thotë ajo, duke kujtuar se nxënësit e shkollës fillore shpesh e përqafonin. Mes tyre ishte edhe djali i saj nëntëvjeçar. Por dashuria për profesionin, sipas saj, nuk mjaftonte për të paguar detyrimet financiare.

“Faturat nuk ndalen së ardhuri vetëm sepse je i apasionuar pas punës tënde. Bankave nuk u intereson”, shprehet 42-vjeçarja. Paradoksalisht, vendimi i shkollës për ta pushuar nga puna i dha një shtysë të jashtëzakonshme aktivitetit të saj në internet. Publikimi i historisë solli një valë të re ndjekësish dhe kërkesash, duke rritur ndjeshëm të ardhurat e çiftit. Bashkëshorti i saj, Tim, i cili merr pjesë në krijimin e përmbajtjeve për platformën, ka reduktuar aktivitetet e tjera të biznesit për t’iu përkushtuar kërkesave të abonentëve.

“Mendova se ne kemi qenë bashkë që nga fillimi. Pse të mos e regjistrojmë dhe të shohim çfarë ndodh?”, tregon ai për vendimin e tyre për të hyrë në këtë industri. Pavarësisht përfitimeve financiare, Sitner nuk e fsheh zhgënjimin për largimin nga shkolla. Ajo beson se aktiviteti i saj privat nuk duhej të ndikonte në profesionin e mësueses dhe e konsideron shkarkimin një cenim të të drejtave të saj.

“Unë besoj vërtet te liria e shprehjes. Reagimi që marrin gratë për krijimin e përmbajtjes në internet është absolutisht i tmerrshëm”, deklaron ajo. Rasti i saj ka rikthyer në vëmendje debatin në Shtetet e Bashkuara për kufijtë mes jetës private dhe përgjegjësive profesionale, veçanërisht për personat që punojnë në arsim.

OnlyFans është kthyer në një industri miliardash, me rreth 5 milionë krijues përmbajtjeje dhe 437 milionë llogari përdoruesish. Sipas të dhënave të kompanisë mëmë, platforma gjeneron afro 8 miliardë dollarë në vit, pjesa më e madhe e të cilave u shpërndahet krijuesve. Avokati amerikan Corey Silverstein, i specializuar në çështjet e lirisë së shprehjes, thotë se rastet e punonjësve që humbasin vendin e punës për shkak të aktiviteteve të tyre në internet janë shtuar ndjeshëm. Sipas tij, gjithnjë e më shumë punëdhënës po përfshijnë në kontratat e punës dispozita që kufizojnë aktivitetet e konsideruara të papërshtatshme, ndërsa anonimiteti në platforma të tilla është pothuajse i pamundur të ruhet për një kohë të gjatë.

Vetë Sitner nuk e di me siguri se kush e denoncoi aktivitetin e saj në OnlyFans te drejtuesit e shkollës. Megjithatë, ajo thotë se nuk mban mëri ndaj personit që bëri zbulimin. “Kushdo që e bëri këtë, ndoshta shpresonte të më shkatërronte jetën. Në fakt, më ka ndihmuar aq shumë saqë nuk më intereson më që më ka goditur”, shprehet ajo..