Michelle Hunziker beson se bukuria nuk lidhet vetëm me produktet kozmetike, por mbi të gjitha me mënyrën se si e përjetojmë jetën. Moderatorja dhe sipërmarrësja italiane, e cila në janar mbush 50 vjeç, ka ndarë disa nga sekretet e saj për të ruajtur një pamje të freskët dhe një lëkurë të shëndetshme.
Sipas saj, elementi më i rëndësishëm që ndikon në rininë dhe bukurinë e një personi është energjia pozitive.
“Sekreti i parë i bukurisë? Ajo që, sipas meje, na mban të rinj para çdo gjëje tjetër është energjia pozitive”, u shpreh Hunziker.
Megjithatë, krahas filozofisë së saj për jetën, moderatorja zbuloi edhe një rregull të cilin nuk e ka shkelur asnjëherë: pastrimin e fytyrës para gjumit.
“Nëse ka një gjë që nuk e kam bërë kurrë në jetën time, as kur isha shumë e re, është të shkoj në shtrat me grim”, tregoi ajo gjatë një aktiviteti të zhvilluar në Milano.
Pastrimi i fytyrës në mbrëmje është një nga hapat kryesorë të kujdesit ndaj lëkurës, pasi largon papastërtitë dhe mbetjet e grimit, duke ndihmuar në ruajtjen e shëndetit të saj.
Përveç televizionit dhe modelingut, Hunziker është angazhuar edhe në sipërmarrje, duke krijuar markën e produkteve të bukurisë Goovi, emri i së cilës është frymëzuar nga shprehja angleze “good vibes”, që përkthehet si energji pozitive.
Së fundmi, marka ka prezantuar trajtimin e ri Collagen Skin Reboot, i cili kombinon produktet kozmetike me suplementet ushqimore, duke synuar përmirësimin e pamjes së lëkurës.
Kolagjeni, një tjetër aleat i bukurisë
Kolagjeni është proteina kryesore strukturore e trupit dhe luan rol të rëndësishëm në ruajtjen e elasticitetit dhe qëndrueshmërisë së lëkurës. Prodhimi natyror i tij nis të bjerë gradualisht rreth moshës 25-vjeçare, duke ndikuar me kalimin e viteve në shfaqjen e rrudhave dhe humbjen e elasticitetit.
Trajtimi i ri i Goovi përfshin tre produkte: një serum, një krem dhe një suplement të lëngshëm. Ky i fundit përmban Vecollal, një përbërës kolagjeni biomimetik vegan, i krijuar për të imituar profilin e aminoacideve të kolagjenit njerëzor të tipit I.
Sipas pretendimeve të prodhuesit, formula synon të përmirësojë hidratimin, shkëlqimin dhe pamjen e rrudhave, të cilat mund të reduktohen me gati 33% pas tetë javësh përdorimi.
Në fund, Hunziker e përmblodhi me humor filozofinë e saj për plakjen, duke theksuar se sekreti është të plakesh duke qenë e shëndetshme, e lumtur dhe e hidratuar.
