Për shumë vite, Crescent Park në Palo Alto ishte një simbol i jetës tërheqëse dhe të qetë kaliforniane, rrugë të mbushura me gjethe, festa lokale dhe fëmijë që lozin dhe ngasin biçikleta pa u shqetësuar. Por tani, banorët thonë se ajo që dikur ishte një lagje idilike ka ndryshuar dhe është shndërruar në një lloj monopoli për miliarderin e Meta, Mark Zuckerberg, i cili ka blerë gjithçka që ka mundur të prekë.
Që nga viti 2011, Zuckerberg dhe bashkëshortja e tij, Priscilla Chan, kanë grumbulluar të paktën 11 pasuri përgjatë rrugëve Edgewood dhe Hamilton, duke shpenzuar më shumë se 110 milionë dollarë. Ata kanë ndërtuar një kompleks privat me pesë shtëpi, ku jetojnë bashkë me vajzat e tyre, përfshirë shtëpi mysafirësh dhe kopshte të mëdha. Ndërkohë, investimi i Mark Zuckerberg në këtë lagje ka transformuar atë nga një komunitet i ngushtë e i qetë, në një enklavë ekskluzive të pasurish.
Një pjesë e këtyre pronave shërbejnë si një vend për aktivitete të jashtme, si dhe një shkollë private pa licencë për 14 fëmijë, një shkelje e qartë e ligjeve të qytetit. Në mes të kompleksit, qëndron një statujë argjendi e madhe e Priscillës, e porositur nga vetë Zuckerberg, ndërsa nën këmbët e saj shtrihen disa hektarë hapësirë nën tokë, të cilat fqinjët i konsiderojnë si bunkerë.
Për pesë vjet, ndërtimet intensive kanë bërë që rrugët të jenë të mbushura me makineri të rënda, duke krijuar trafik dhe duke shkatërruar pasqyrat e makinave që parkojnë aty. Mbi të gjitha, mbikëqyrja vazhduese është një shqetësim tjetër për banorët. Ata raportojnë se kamerat e sigurisë të kompleksit të Zuckerberg drejtohen drejt oborreve të tyre dhe regjistrojnë çdo vizitor që hyn.