Një figurë që është kthyer në sensacion viral, ka ndezur debat në rrjetet sociale dhe ka ngritur pikëpyetje serioze mbi realitetin dhe mashtrimin digjital. Rasti i Nia Noir, influencueses që prezantohet si “vajza më e bukur në botë”, ka grumbulluar miliona shikime dhe pëlqime, veçanërisht në TikTok. Por pas pamjes perfekte dhe joshëse, fshihet një e vërtetë që shumë përdorues nuk e kishin imagjinuar; ajo nuk është reale, por një krijim i inteligjencës artificiale.

Nia Noir numëron rreth 2.6 milionë ndjekës në TikTok, ndërkohë në Instagram me pak mbi 5 mijë ndjekës, ndërsa ajo është aktive edhe në Telegram, ku ofron përmbajtje me pagesë për abonentët. Përdoruesit e quajnë “kukull Barbie”, “bukuri natyrore” apo madje një “qenie hyjnore”.

Megjithatë, paralelisht me lavdërimet, është rritur edhe dyshimi. Një pjesë e audiencës ka filluar të vërejë detaje që nuk përputhen me realitetin njerëzor.

Të tjerë kanë vëzhguar mospërputhje vizuale si gishta të deformuar, objekte me forma të çuditshme, pajisje që nuk respektojnë logjikën fizike dhe një teksturë tepër e lëmuar e imazhit, shenja tipike të përmbajtjeve të krijuara nga inteligjenca artificiale.