Thinking Machines Lab, kompania e themeluar nga ish-drejtoresha e teknologjisë së OpenAI, Mira Murati, ka prezantuar modelin e saj të parë të inteligjencës artificiale me përdorim të përgjithshëm, duke u mbështetur në teknologji të zhvilluara nga kompani kineze. Sipas Financial Times, modeli i ri, i quajtur Inkling, është ndërtuar mbi arkitekturën e DeepSeek-V3 dhe është përmirësuar pas fazës së trajnimit me të dhëna të gjeneruara nga modeli Kimi K2.5 i kompanisë kineze Moonshot AI.
Publikimi i Inkling vjen në një kohë kur laboratorët kinezë të inteligjencës artificiale po fitojnë terren ndaj rivalëve amerikanë. Sipas platformës OpenRouter, modelet kineze të AI kanë tejkaluar këtë vit homologët amerikanë për sa i përket përdorimit të përgjithshëm. Ndryshe nga modelet më të avancuara të ChatGPT dhe Claude, Inkling do të jetë një model me “open-weight”, që u lejon përdoruesve ta instalojnë në serverët e tyre dhe ta përshtatin për nevoja specifike. “Sot po avancojmë misionin tonë duke publikuar një model që e kemi trajnuar nga e para, me të gjitha peshat e disponueshme, në mënyrë që njerëzit ta bëjnë të tyrin”, deklaroi kompania.
Thinking Machines Lab prezanton modelin e saj të parë vetëm një vit pasi siguroi 2 miliardë dollarë financim fillestar, duke arritur një vlerësim prej 12 miliardë dollarësh. Mes investitorëve janë Andreessen Horowitz, Nvidia, AMD dhe fondi Jane Street. Mira Murati u bë një nga figurat më të njohura të industrisë së inteligjencës artificiale gjatë kohës që drejtoi zhvillimin e produkteve si ChatGPT, DALL-E dhe funksionet zanore të OpenAI. Ajo u largua nga OpenAI në shtator 2024 dhe themeloi Thinking Machines Lab në shkurt të vitit pasues.
Megjithëse kompania ka tërhequr vëmendje të madhe, këtë vit ajo humbi disa drejtues të lartë që iu bashkuan Meta dhe OpenAI, ndërsa u ngritën edhe pikëpyetje mbi stilin drejtues të Muratit. Përveç Inkling, kompania po zhvillon edhe platformën Tinker, e cila u mundëson bizneseve të personalizojnë modele të mëdha gjuhësore sipas nevojave të tyre.
