I ftuar në emisionin “Pardon My French” sot me Jonida Aliçkollin ka qenë finalisti i këtij edicioni të pestë të “Big Brother VIP”, Armir Shahini ose ndryshe Miri i West Side Family. Ai ka zbuluar më shumë detaje në lidhje me eksperiencën, rrugëtimin dhe dinamikat e lojës së tij në shtëpinë më të famshme në Shqipëri.

Ai ka ndarë një rrëfim më personal dhe emocional, duke folur për ndikimin e vazhdueshëm që Dr. Flori ka në jetën dhe vendimet e tij. Artisti u shpreh se, pavarësisht mungesës fizike, ai e ndjen gjithmonë praninë e tij shpirtërore, si një udhërrëfyes në çdo hap, qoftë në muzikë apo në situata të përditshme.

Faktikisht Dr.Flori në shpirtin tim është i pranishëm në çdo moment sepse edhe në shumë situata që kam qenë në Big Brother por edhe në jetën normale unë e kam atë në shpirtin tim. Sa herë që veproj, sa herë që flas apo edhe kur bëj muzikë që ai nuk është fizikisht unë e kam atë ndjesinë që ai është me mua dhe sikur më drejton si t’i bëj gjërat.