Autoritetet amerikane vijojnë hetimet për të përcaktuar se çfarë i shkaktoi vdekjen aktores Hayden Panettiere, e cila u nda nga jeta në moshën 36-vjeçare. Rezultatet e para të autopsisë nuk kanë dhënë ende një përgjigje përfundimtare.

Ylli i serialeve “Heroes” dhe “Nashville” u gjet pa ndjenja të dielën brenda një banese në Greenville, në Karolinën e Jugut. Në vendngjarje mbërritën ekipet e emergjencës, të cilat tentuan ta rikthenin në jetë, por ndërhyrja e tyre nuk pati rezultat.

Sipas Zyrës së Mjekut Ligjor të Qarkut Greenville, ekzaminimi i trupit nuk ka zbuluar dëmtime apo shenja traume që mund të lidhen drejtpërdrejt me vdekjen. Për këtë arsye, si shkaku ashtu edhe mënyra e vdekjes mbeten ende të papërcaktuara.

Hetuesit janë në pritje të analizave të tjera, përfshirë rezultatet laboratorike, të cilat pritet të japin një panoramë më të qartë mbi atë që ka ndodhur.

Alarmi për gjendjen e aktores u dha rreth orës 13:51, kur një person që e njihte kontaktoi numrin e emergjencës 911 pasi e gjeti atë pa ndjenja.

Kur ekipet mjekësore mbërritën në banesë, Panettiere ndodhej në arrest kardiak. Pavarësisht manovrave të reanimimit, 36-vjeçarja nuk mundi të mbijetonte.

Autoritetet nuk kanë bërë të ditura rrethana të tjera që mund të kenë çuar në vdekjen e saj, ndërsa pritet që ekzaminimet e mëtejshme të përcaktojnë shkakun përfundimtar.