Një zhvillim i ri ka tronditur opinionin publik në SHBA, pasi një 43-vjeçar i dënuar për vrasjen e një 13-vjeçareje është gjetur i pajetë në burg vetëm pak ditë pas shpalljes së dënimit.

Sipas autoriteteve, i dënuari, i cili kishte marrë një dënim nga 35 deri në 60 vite burg për krimin, është gjetur i vdekur në një institucion korrektues në Michigan.

Burime zyrtare bëjnë me dije se vdekja dyshohet të ketë ardhur si pasojë e vetëvrasjes, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat.

Rasti lidhet me zhdukjen dhe vrasjen e një vajze 13-vjeçare, e cila ishte raportuar e humbur pas shkollës në vitin 2024 dhe trupi i saj nuk është gjetur ende.

Sipas hetimeve, autori kishte lidhje familjare me viktimën dhe dyshohet se kishte ushtruar abuzim ndaj saj për një periudhë të gjatë.

Prokurorët kishin deklaruar se ekzistonte një sasi e madhe provash që e lidhte atë drejtpërdrejt me krimin, përfshirë komunikime dhe lëvizje të dokumentuara në ditën e zhdukjes.