Djali 19-vjeçar i Britney Spears, Jayden James Federlin, ka reaguar ndaj teorive të konspiracionit që qarkullojnë në rrjetet sociale, sipas të cilave këngëtarja është zëvendësuar nga një klon.
Gjatë një transmetimi live në “TikTok”, Jayden u habit nga përhapja e këtyre pretendimeve dhe tha se njerëzit duhet të kontrollojnë faktet para se t’u besojnë teorive të tilla.
“Hap TikTok-un dhe shoh një video me 1.2 milionë pëlqime që thotë: ‘Teoria më e madhe ndonjëherë: A është Britney Spears ende gjallë?’ Mund të shkosh në profilin e saj dhe ta shohësh tani. A jeni normalë?”, u shpreh ai.
Teoritë se Britney është ‘zëvendësuar nga një klon’ janë përhapur prej kohësh online, të nxitura kryesisht nga videot e saj të kërcimit në Instagram, ku disa përdorues pretendojnë ndryshime në pamje, zë dhe mënyrën e lëvizjes.
Për këto pretendime nuk ka asnjë provë. Jayden kritikoi mënyrën se si përhapen lajmet e rreme në internet, duke thënë se shumë njerëz besojnë informacionet vetëm sepse kanë shumë shikime dhe pëlqime.
Britney Spears dhe ish-bashkëshorti i saj Kevin Federline kanë dy djem, Jayden dhe Sean Preston.
Pas një periudhe dyvjeçare pa u takuar, Britney u ribashkua me Jayden në fund të vitit 2024, duke e cilësuar momentin si një nga më të lumturit e jetës së saj.
