Përdorimi i telefonit në tualet mund të ketë disa efekte negative në shëndetin mendor dhe fizik, sipas ekspertëve. Së pari, ai mund të përkeqësojë funksionet kognitive, duke ndikuar negativisht në fokusin dhe aftësinë për të marrë vendime. Studimet sugjerojnë se kalimi i vazhdueshëm nga një detyrë në tjetrën mund të vështirësojë përqendrimin në afat të gjatë. Po ashtu, kontrollimi i telefonit gjatë kohës që jeni në tualet mund të rrisë nivelet e stresit. Aktivizimi i sistemit “fluturo dhe lufto” nga njoftimet e vazhdueshme mund të rrisë nivelin e kortizolit, hormonin e stresit, duke penguar momentet e relaksimit.

Mjekët paralajmërojnë se kalimi i më shumë se 10 minutave në tualet mund të çojë në probleme serioze shëndetësore, duke përfshirë një rrezik të shtuar të hemorroideve dhe dobësimin e muskujve të legenit. Kombinimi i qëndrimit të zgjatur ulur dhe presionit gravitacional prish rrjedhjen e gjakut, duke i tendosur venat dhe muskujt e rektumit. Ekspertët këshillojnë të shmangni shpërqendrimet si telefonat në banjë dhe të përqendroheni në zakonet dietike, hidratimi dhe marrja e fibrave për të mbajtur jashtëqitje të rregullta.

Rikujtojmë se një burrë përfundoi në spital pasi humbi ndjesinë në këmbë, pas 30 minutash qëndrimi në tualet duke përdorur telefonin. Sipas mjekëve, rasti njihet si “neuropatia e tualetit”, një gjendje që shkaktohet nga shtypja e nervave dhe ndërprerja e qarkullimit të gjakut për shkak të uljes së zgjatur në sipërfaqe të forta.

Një hulumtim i ri i publikuar në revistën mjekësore “PLOS One” ka treguar se përdorimi i telefonit në tualet lidhet drejtpërdrejt me një rrezik më të lartë për zhvillimin e hemorroideve. Studimi, që përfshiu 125 të rritur të cilët iu nënshtruan kolonoskopisë, zbuloi se ata që përdorin telefonin në banjo kanë 46% më shumë gjasa të preken nga hemorroidet, krahasuar me personat që nuk e kanë këtë zakon.