Një studiues i Anthropic po hante sanduiç në një park, kur telefoni iu drodh. Një email i ri. Dërguesi? Modeli i Inteligjencës Artificiale që supozohej të ishte i bllokuar brenda një mjedisi të izoluar, pa asnjë qasje në botën e jashtme.
Kështu mësoi njerëzimi se diçka kishte ndryshuar! Claude Mythos, modeli më i ri i Anthropic kishte dalë nga “sandbox”-i i tij gjatë testimit. Nuk ishte thjesht një defekt teknik. Ishte një moment që inxhinierët e kompanisë e quajtën “aftësi potencialisht të rrezikshme për të anashkaluar masat tona të sigurisë”.
Dhe sikur emaili të mos mjaftonte, Mythos bëri edhe një hap tjetër; pa u kërkuar nga askush, shpërndau detaje rreth shfrytëzimit të tij në faqe publike të internetit. Vetëm për të dëshmuar se mundej. Çfarë mund të bëjë ky model, konkretisht? Ai zbuloi autonomisht mijëra dobësi në çdo sistem operativ kryesor duke përfshirë një të metë 27-vjeçare në OpenBSD, një sistem i njohur si ndër më të sigurtit në botë.
Inxhinierë të Anthropic pa trajnim formal në sigurinë kompjuterike i kërkuan Mythos-it të gjente dobësi gjatë natës dhe u zgjuan të nesërmen me shfrytëzime të plota, funksionale. Vendimi ishte i pashmangshëm: Mythos nuk do të lëshohet për publikun e gjerë. Vetëm 11 kompani; Google, Microsoft, Amazon, Nvidia, JPMorgan ndër të tjera – kanë qasje, si pjesë e “Project Glasswing”, një program mbrojtës kibernetik i financuar me 100 milionë dollarë nga vetë Anthropic.
Por historia nuk mbaron këtu. Ky lajm vjen në mes të një lufte tjetër që Anthropic po zhvillon, kësaj radhe jo me një model AI, por me Pentagonin amerikan. Presidenti amerikan Donald Trump urdhëroi agjencitë federale të ndalonin çdo bashkëpunim me kompaninë, pasi kjo refuzoi t’i japë Ushtrisë qasje të pakufizuar në teknologjinë e saj.
Anthropic kishte dy kushte të pakalueshme: jo për armë autonome të kontrolluara nga AI, jo për mbikëqyrje masive të qytetarëve amerikanë. Pentagoni nuk pranoi. Dhe Trumpi e quajti Anthropic “kompani radikale të majtë jashtë kontrollit”.



