Chuando Tan nga Singapori duket se ka gjetur sekretin e rinisë së përjetshme. Imazhi i artistit nga Singapori ka bërë xhiron e botës. Ai është 59 vjeç, i lindur më 3 mars 1966, por duket shumë më i ri. Chuando Tan filloi karrierën e tij si model në vitet 1980 dhe rreth 10 vjet më vonë ai hyri në botën e muzikës, duke interpretuar balada pop. E gjithë kjo pa shumë sukses, gjë që bëri t’i drejtohej pasionit të tij të vërtetë, fotografisë.
Një mik i tij i rekomandoi të hapte një llogari në Instagram, ku përveç publikimit të punës së tij profesionale, postonte edhe imazhe të tij dhe tashmë ka mbi 1 milionë ndjekës. Influencuesi ka pranuar se një pjesë e madhe e pamjes së tij rinore është për shkak të gjenetikës, por ai ka ndarë edhe serinë e rutinave dhe kujdesit që e ndihmojnë të ruajë atë pamje.

Tan këmbëngul se nuk ka magji dhe as kirurgji plastike. Sipas tij, formula është e thjeshtë; 70% dietë dhe 30% disiplinë. Proteina të pastra në dietë si vezë, pulë, pa alkool dhe pa sheqer të përpunuar, stërvitje 3-5 herë në javë; squats, pompa, gjumë para orës 23:00, pa vakte natën vonë.
Chuando ka treguar se ditën e nis me 6 vezë të ziera pa të verdha. Pas mëngjesit ai ha pulë me oriz ose perime të pjekura në skarë. Në kohën e drekës ha supë peshku dhe lë vend për ëmbëlsirë, e cila zakonisht është akullore. Ai ka hequr dorë nga kafeja dhe çaji dhe rekomandon thjesht të pini shumë ujë.
Chuando zakonisht e mbyll mbrëmjen me një sallatë. Ai pranon se ka bërë një trajtim me botoks, por këmbëngul se ishte shumë vite më parë. Trajtimet e tij të vetme janë kremrat e fytyrës dhe lyerja e flokëve për të fshehur flokët e tij të thinjur.




