Modelja britanike Cara Delevingne ka befasuar ndjekësit duke zbuluar se është gati të nisë zyrtarisht karrierën e saj muzikore, duke hapur kështu një kapitull të ri në jetën artistike.

Delevingne njoftoi se debutimi i saj në muzikë do të shoqërohet me një turne në 11 qytete në Evropë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Amerikën e Veriut, ku do të performojë për herë të parë si artiste kryesore.

Jam shumë e emocionuar të njoftoj performancat e mia të para si kryesuese. Jam e zhytur në prova dhe mezi pres të ngjitem në skenë

-u shpreh ajo.

Së bashku me lajmin, Cara publikoi edhe posterin e turneut, si dhe një video ku shihet duke interpretuar me kitarë një nga këngët e saj në stil rock.

Muzika ka qenë gjithmonë frika ime më e madhe dhe dashuria ime më e madhe

-rrëfeu modelja, duke treguar se ky hap ka qenë shumë personal për të.

Ajo zbuloi gjithashtu se këngët e saj të ardhshme, “Forgot” dhe “Out of My Head”, do të jenë një pasqyrim i mendimeve dhe emocioneve të saj të mbledhura ndër vite.

Nuk mund ta besoj që më në fund jemi këtu

-shtoi ajo me emocion.

Në një intervistë të mëparshme, Cara kishte folur edhe për mënyrën si e sheh veten, duke refuzuar etiketimet tradicionale.

Do ta përshkruaja veten si artiste dhe person krijues. Njerëzve u pëlqen të vendosin etiketa, por unë gjithmonë kam qenë krijuese

Me këtë vendim, Cara Delevingne duket se po lë gjurmë jo vetëm në pasarela dhe ekran, por tashmë edhe në botën e muzikës.