Modelja e njohur, Dajana Kalo, po kalon një nga momentet më të vështira të jetës së saj, pasi ka pësuar një hemorragji cerebrale si pasojë e një Malformacioni Arteriovenoz (MAV).
Si rezultat i kësaj gjendjeje të rëndë, Dajana aktualisht ka humbur aftësinë për të lëvizur dorën dhe këmbën e djathtë dhe ndodhet nën kujdes të vazhdueshëm mjekësor të specializuar.
Lajmi u bë i ditur kur motra e saj Bora Kalo hapi një “GoFundMe” për të përballuar kostot e larta të trajtimit dhe rehabilitimit pasi në ditët në vijim, ajo pritet t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje urgjente në tru.
Situata e Dajana Kalos ka ngjallur një reagim të jashtëzakonshëm nga qytetarët shqiptarë, të cilët në kohë rekord kanë mbledhur rreth 200,000 euro për të mbështetur trajtimin dhe rehabilitimin e saj.
Mesazhi i motrës së Dajana Kalo:
Unë jam Bora, motra e Dajana Kalo.
Prej pothuajse një muaji, Dajana, 25 vjeçe, ndodhet e shtruar në spital ne Tirane, pasi ka pësuar një hemorragji në tru, e shkaktuar nga Malformacioni Arteriovenoz (AVM), një gjendje serioze dhe kërcënuese për jetën, ku enët e gjakut në tru janë të formuara në mënyrë jonormale dhe mund të çahen pa paralajmërim.
Kjo ka qenë një periudhë jashtëzakonisht e vështirë për ne. Dajana është e re, e fortë dhe e vendosur për t’u shëruar, por rruga e saj është ende e gjatë. Ajo ka nevojë për ndërhyrje kirurgjikale në tru, e ndjekur nga një proces i gjatë dhe i lodhshëm rehabilitimi.
Aktualisht po shqyrtojmë mundësi në spitalin publik, spitale private ose trajtim jashtë vendit per trajtimin pas operacionit, ku ekzistojnë ekspertiza dhe teknologjia e nevojshme. Këto alternativa kanë kosto shumë të larta, të cilat nuk mund t’i përballojmë vetëm.
Po e nisim këtë fushatë “GoFundMe” për të mbuluar shpenzimet e mëposhtme:
-Ndërhyrjen kirurgjikale në tru
-Shtrimet në spital dhe kujdesin mjekësor
-Medikamentet dhe trajtimin pas operacionit
-Fizioterapinë dhe rehabilitimin
-Rikuperimin afatgjatë dhe shpenzimet e përditshme të jetesës
Dajana nuk do të jetë në gjendje të punojë për një periudhë të gjatë kohe, pasi aktualisht nuk është në gjendje të ecë dhe të lëvizë anën e djathtë të trupit, këmbën dhe dorën. Edhe unë do të duhet të ndërpres punën për t’u kujdesur për të me kohë të plotë gjatë rikuperimit të saj. Kjo e bën barrën financiare edhe më të rëndë, përveç ngarkesës emocionale që po përjetojmë.
Çdo donacion, pavarësisht shumës, do të shkojë drejtpërdrejt për t’i dhënë Dajanës mundësinë më të mirë për shërim dhe një jetë normale. Nëse nuk keni mundësi të dhuroni, shpërndarja e kësaj fushate do të ishte po aq e vlefshme për ne.
Nga zemra, ju falënderojmë për mirësinë, mbështetjen dhe lutjet tuaja në këtë periudhë kaq të vështirë.
Me mirënjohje,
Bora Kalo.

