Modelja shqiptare Misse Beqiri ka reaguar për herë të parë pas lajmit tronditës për ndarjen nga jeta të ish-partnerit të saj, Jake Hall, i njohur për pjesëmarrjen në reality show-n britanik “The Only Way Is Essex”.
Përmes një deklarate të shpërndarë nga përfaqësuesit e saj, modelja ka shprehur dhimbjen e thellë për humbjen dhe ka kërkuar privatësi në këtë periudhë të vështirë për familjen e tyre.
Misse dhe Jake kishin një histori të gjatë së bashku dhe janë prindër të vajzës së tyre, River, e lindur në nëntor të vitit 2017. Marrëdhënia e tyre është karakterizuar nga ndarje dhe ribashkime ndër vite, por ata kishin ruajtur lidhjen për shkak të vajzës.
Në këtë kohë, fokusi i Misse është në mbështetjen dhe mbrojtjen e fëmijës së tyre, teksa përballen me këtë humbje shkatërruese. Familja kërkon privatësi, dhembshuri dhe respekt ndërsa vajtojnë privatisht
-thuhet në deklaratë.
Sipas mediave britanike, Jake Hall humbi jetën pas një aksidenti tragjik në një vilë në Majorca, ku dyshohet se u përplas me një derë xhami dhe pësoi dëmtime fatale në kokë pas një nate me miqtë.
Autoritetet kanë marrë në pyetje disa persona që ndodheshin në vendngjarje, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave vijojnë.
Detaj që ka prekur ndjekësit është fakti se vetëm disa orë para tragjedisë, Hall kishte publikuar në rrjetet sociale video dhe mesazhe reflektuese me vajzën e tij, duke lënë pas një atmosferë edhe më emocionale mes fansave dhe miqve të tij.
