Spektakli “Piramida” kishte mbrëmë si konkurrentë 10 moderatorë të Top Channel.
“Ilirët” ishte skuadra e djemve dhe përbëhej nga Blendi Salaj, Edi Manushi, Alban Musa, Ervin Kurti dhe Marin Mema. Përballë kishin skuadrën “Shqiponjat” me moderatoret Sidorela Gjoni, Megi Pojani, Rudina Dembacaj, Ermira Çausholli dhe Erjona Rusi.
Loja mes dy skuadrave ishte e fortë, ku herë grumbullonte skuadra e vajzave më shumë para dhe herë skuadra e djemve. Por në fund triumfoi skuadra “Shqiponjat”, të cilat gjatë lojërave të ndryshme fituan 5110 euro.
Duke qenë se kishin më shumë para se grupi “Ilirët”, “Shqiponjat” shkuan në raundin e fundit për të fituar edhe 15 mijë euro të tjera, të cilin Sidorela dhe Erjona e mbaruan me shumë sukses.
Gjoni si kryetare e skuadrës vendosi që lojën e fundit t’a realizonte së bashku me Rusin. Dy moderatoret e njohura arritën që në 60 sekonda të gjenin të gjitha fjalët, duke fituar edhe 15 mijë euro.
Në fillim të programit, “Shqiponjat” zbuluan se paratë do të shkonin për bamirësi.
“Ramë dakord me njëra-tjetrën, gjatë kohës kur vijmë për në punë në Kashar, na tërheq vëmendjen gjithmonë shkolla 9-vjeçare që është shumë pranë Top Channel. Diskutuam edhe me drejtoreshën, zonjën Margarita, dhe ramë dakord që nëse do ia dalim, ne do ia dalim, do t’i ndihmojmë ata me realizimin e një laboratori dinjitoz”, tha Sidorela.