Mijëra mollëkuqe kanë pushtuar zona të Britanisë së Madhe, veçanërisht Newcastle, Durham, Teesside, Cumbria dhe Tyneside. Banorët kanë publikuar pamje të dritareve, gardheve, automjeteve dhe parqeve të mbuluara nga insektet.

Mes tyre janë identifikuar edhe mollëkuqet aziatike Harlequin, një specie pushtuese me ngjyra të ndryshme, nga e kuqja me pika të zeza deri te e zeza me pika të kuqe.

Sipas ekspertëve, disa prej këtyre insekteve mund të mbartin kërpudhën parazitare Laboulbeniales, e cila transmetohet edhe gjatë çiftëzimit dhe mund të inf*ktojë mollëkuqe të tjera. Megjithatë, ajo është plotësisht e padëmshme për njerëzit.

Grumbullimi masiv lidhet me përgatitjen për dimër. Me uljen e temperaturave dhe pakësimin e ushqimit, mollëkuqet kërkojnë vende të ngrohta për të kaluar periudhën e fjetjes dimërore, duke lëshuar feromone që tërheqin insekte të tjera.

Shoqata Britanike e Kontrollit të Dëmtuesve sqaron se këto mollëkuqe nuk dëmtojnë ndërtesat, por mund të lëshojnë një lëng të verdhë me erë të pakëndshme, që njollos pëlhurat. Qytetarët këshillohen të mos i shtypin, por t’i largojnë me kujdes.