E ftuar në “Live From Tirana” me Ronaldo Sharkën, ka qenë gazetarja Sabina Mete, njëkohësisht ish-banore e “Big Brother VIP 5”. Ajo ka folur për eksperiencën e saj në shtëpinë më të famshme në Shqipëri, por jo vetëm…

Nëse do të të pyesnin për periudhën tënde më të errët të jetës, cila do të ishte?

Ka qenë një lëndim, kur unë jam ndarë nga i dashuri im. E kam përjetuar disi vështirë, kam qenë 26 vjeçe në atë kohë. Ti i përjeton disa gjëra për herë të parë, ti i përjeton disa momente për herë të parë dhe kur vjen fundi askujt nuk i pëlqen, sepse gjërat e bukura asnjëherë nuk zgjasin përgjithmonë. Megjithatë, unë kam të gjithë fuqinë për të pranuar që gjërat mbarojnë dhe të gjithë fuqinë për ta përballuar. Por sigurisht që emocionet dhe akumulimi dhe çdo gjë tjetër do bëjë të vetën. Ajo është periudha që unë jam mërzitur disi më shumë. Por unë ndonjëherë kam frikë ta them këtë, unë jam njeri që nuk jam sprovuar në jetë dhe për këtë ndonjëherë kam edhe frikë.

Kam jetuar gjithmonë lumturisht jetën time në familje, nuk kam humbur asnjë familjar timin që ta di vërtet se çfarë është të të djegë zemra. Kurse këto të dashurisë ikin dhe vijnë dhe janë gjëra që rikuperohen. Nuk kam pasur ndonjëherë problemin që të kem kapur fundin ekonomikisht dhe të jem gjendur buzë humnere, prandaj them ndonjëherë që jam paksa si e përkëdhelura e Zotit në kuptimin që nuk jam sprovuar që të kuptoj realisht se çfarë është dhimbja e vërtetë. Kam jetuar një jetë të qetë, me ulje ngritjet ekonomike që i ndodh çdokujt. Por nuk kam as trauma nga fëmijëria, nuk e njoh dhunën, nuk e njoh as mosmbështetjen e familjes. Zoti i zgjedh njerëzit që do sprovojë, se nuk thonë kujt që ia dha gurit dhe plasi, ia dha njeriut e mbajti. Në fund të ditës çdokush do ta përballojë. /TAR/