Një nga aktorët më të dashur të Hollywood-it, Hugh Jackman, ka rrëfyer publikisht një nga situatat më të sikletshme të karrierës së tij teatrale. Incidenti ka ndodhur live në skenë, gjatë shfaqjes “Beauty and the Beast” dhe që ai nuk do ta harrojë kurrë.
Gjatë interpretimit të rolit të Gastonit dhe këngës energjike “Me”, Jackman humbi kontrollin fizik në mënyrën më të papritur. Aktori i njohur shpjegoi se në atë periudhë po vuante nga dhimbje të forta koke dhe një naturopat i kishte rekomanduar të konsumonte shumë ujë për t’u hidratuar. Por ai e teproi: brenda një dite kishte pirë plot 7 litra ujë.
Gjatë numrit të parë muzikor, ndërsa ngrinte dhe tërhiqte aktoren që luante Belle, një incident i pakëndshëm ndodhi, një sasi e vogël urine i shpëtoi, dhe duke qenë se kostumi që mbante ishte i ngushtë, situata u bë akoma më e vështirë për t’u fshehur.
Më pas, në kulmin e interpretimit, ai u përball me një dilemë të pazakontë: të këndonte notën e lartë F dhe të rrezikonte që incidenti të bëhej i dukshëm, apo të kursente veten dhe të prishte performancën. Aktori zgjodhi profesionalizmin.
Ai e këndoi notën dhe, sipas tij, urina i rridhte poshtë pantallonave ndërsa vazhdonte skenën si të mos kishte ndodhur asgjë.
Jackman e përshkruan këtë si një nga momentet më poshtërues, por njëkohësisht edhe më të paharrueshëm të karrierës së tij në teatër.



