Pak ditë më parë u mbajt në Paris ceremonia e ndarjes së çmimeve “Topi i Artë”. Në këtë event ishte e pranishme edhe Rute Cardoso, bashkëshortja e futbollistit të ndjerë, Diogo Jota.

Kjo ishte paraqitja e parë publike që nga humbja e rëndë e bashkëshortit. Rute u shfaq e veshur me një fustan elegant të bardhë me detaje argjendi dhe një pelerinë të bardhë. Ajo mori vëmendjen e të pranishmëve me elegancën dhe forcën e saj në këtë moment shumë të dhimbshëm.

Prezantuesja e eventit të rëndësishëm, Kate Scott, e përkujtoi me emocion ndarjen nga jeta të Jotës, duke thënë:

“Këtë verë familja e futbollit u trondit kur mësuam për vdekjen e Diogo Jotës dhe të vëllait të tij, Andre Silva. Jota ishte një nga të preferuarit e tifozëve, i dashur nga shokët e ekipit dhe gjithmonë i përkushtuar ndaj klubit”.

Edhe Ruud Gullit, që ishte bashkëprezantues i mbrëmjes, shtoi:

“Jota dha gjithçka për futbollin. Ai do të kujtohet gjithmonë si një lojtar i madh dhe një njeri i dashur”.

Gjithashtu gjatë ceremonisë u shfaq një video me disa nga momentet më të bukura të karrierës së Jotës, duke prekur thellë publikun dhe shokët e tij të ekipit, përfshirë Virgil van Dijk dhe Alisson Becker, të cilët nuk i mbajtën dot emocionet.

Kujtojmë se historia e dashurisë së Diogo Jotës dhe Rute Cardoso-s ishte një nga më të ndjekurat nga fansat. Ata nisën lidhjen në bankat e shkollës së mesme, u fejuan në vitin 2022 dhe u martuan më 22 qershor 2025.

Vetëm 11 ditë pas martesës, futbollisti humbi jetën në një aksident tragjik, duke lënë pas bashkëshorten dhe tre fëmijët e tyre.