Këngëtari i njohur Gjesti ka ndarë një mesazh emocional me ndjekësit e tij në rrjetet sociale, duke u bërë një thirrje të sinqertë që të respektojnë privatësinë e tij dhe të familjes.
Përmes një postimi në InstaStory, artisti shprehet mirënjohës për dashurinë dhe mbështetjen që merr çdo ditë nga publiku, duke thënë se e kupton dëshirën e shumë fansave për ta takuar apo për të realizuar një fotografi me të.

Megjithatë, ai thekson se shtëpia është i vetmi vend ku arrin të shkëputet nga angazhimet, të kalojë kohë me familjen dhe të gjejë qetësi.
Ju lutem, kam një kërkesë prej zemrës. E di që shumë prej jush vini te shtëpia ime me dëshirën me më taku ose me bo një foto me mua dhe e vlerësoj pafund këtë dashni. Ama ju lutem më kuptoni edhe mua
-ka shkruar Gjesti.
Artisti shpjegon se vizitat e shpeshta pranë banesës së tij ia vështirësojnë ruajtjen e privatësisë, por nënvizon se mesazhi i tij nuk vjen për të larguar apo zhgënjyer fansat.
Përkundrazi, ai siguron se i vlerëson të gjithë dhe dëshiron t’i takojë në ambiente të përshtatshme, ku mund të kalojnë momente të bukura së bashku.
Gjesti u bëri thirrje ndjekësve që të mos shkojnë në shtëpinë e tij, duke premtuar se do të ketë plot mundësi për t’u takuar gjatë koncerteve, eventeve dhe aktiviteteve publike.
Sipas tij, pikërisht këto janë vendet ku mund të bëjnë fotografi, të bisedojnë dhe të ndajnë nga afër momente me artistin e tyre të preferuar.
Në fund të mesazhit, këngëtari falënderoi fansat për mirëkuptimin dhe respektin ndaj privatësisë së tij dhe të familjes, duke theksuar se ky gjest do të thotë shumë për të.
