Në një periudhë që duket se shënon një moment reflektimi për të, Justin Bieber ndodhet aktualisht në fazë “detoksifikimi”. Këtë e zbuloi vetë këngëtari i famshëm përmes postimeve në rrjetet sociale.
Bieber publikoi në profilin e tij në “Instagram” një sërë fotosh ku shfaqet me fytyrë të skuqur dhe plot djersë, ndërsa në mbishkrim shkroi thjesht: “Detox”.
Edhe pse nuk dha detaje të mëtejshme për arsyen apo metodën që ka zgjedhur për t’u “pastruar”, fansat e tij reaguan menjëherë me mesazhe mbështetëse dhe inkurajuese.
“Është gjëja më e mirë që mund të bësh për veten! Duam të të shohim mirë”, shkroi një ndjekës. “Qëndro i shëndetshëm dhe i lumtur”, komentoi një tjetër. “Të duam, vazhdo i fortë”, “Ti mundesh, mos u dorëzo!”, ishin mesazhet që dominojnë në seksionin e komenteve.
Ky vendim i Justin Bieber për të ndjekur një formë detoksi vjen pesë muaj pas një reagimi të fortë nga përfaqësuesi i tij, i cili hodhi poshtë “thashethemet e dëmshme” që qarkullonin rreth përdorimit të substancave dhe gjendjes së tij mendore.
Siç kishte deklaruar atëherë përfaqësuesi i tij për TMZ, këto spekulime ishin “shkatërruese dhe të mjerueshme”, duke shtuar se “pavarësisht së vërtetës së qartë, shumë njerëz vazhdojnë të përhapin narrativa negative e të dëmshme”.
Sipas të njëjtit burim, Bieber, tani 31 vjeç, ndodhej në gjendje të mirë mendore dhe po shijonte jetën familjare me bashkëshorten e tij Hailey Bieber, pas lindjes së djalit të tyre Jack Blues, në gusht të vitit 2024.
Viti 2024 u përshkrua si një “vit tranzicioni” për këngëtarin, i cili vendosi të ndërpresë marrëdhëniet me disa miq dhe bashkëpunëtorë të ngushtë që, sipas tij, nuk i sillnin më energji pozitive në jetë.
Megjithatë, pavarësisht deklaratave zyrtare, Bieber është fotografuar disa herë duke konsumuar marihuanë, përfshirë gjatë festivalit Coachella dhe në një udhëtim për ski me miq. Në të njëjtën kohë, raportohet se po përballet me sfida në martesën e tij me Hailey, si dhe me vështirësi financiare.
Sipas burimeve të afërta me çiftin, të cituara nga “Entertainment Tonight”, Justin është i irrituar me Hailey, duke pretenduar se ajo i kushton tepër rëndësi imazhit të jashtëm të marrëdhënies së tyre.