Një vit pas ndarjes tragjike nga jeta të Eldionit, vëllait të Gjestit, familja e tij po përballet sërish me kujtimet dhe dhimbjen e asaj dite. Në përvjetorin e parë të aksidentit fatal me motor, rrjetet sociale janë mbushur me postime në kujtim të tij. Megjithatë, disa prej tyre kanë shkaktuar reagimin e fortë të motrës së Eldionit, Blerinës.

Përmes disa postimeve në rrjetet sociale, ajo ka shprehur pakënaqësinë ndaj mënyrës se si persona të ndryshëm po e trajtojnë këtë ngjarje, duke kundërshtuar publikimin e fotove nga varri dhe mesazheve të gjata që, sipas saj, bëhen për të marrë vëmendje.

“Unë nuk mund ta kuptoj se si mund të jenë njerëzit pa ndërgjegje e pa pikën e respektit. Çfarë doni të tregoni me foto te varri e me ato referate që i shkruani në rrjetet sociale? Unë veç di t’ju them: Marre ju qoftë!”, shkroi ajo.

Blerina theksoi se kujtimi dhe dhimbja për një njeri të dashur nuk kanë nevojë të ekspozohen publikisht përmes fotove, videove apo dedikimeve në rrjet. “Dhimbja nuk tregohet në rrjetet sociale me foto, me video e me shkrime. Kjo është krejt vëmendje që doni të keni, por jo me këto lloj gjërash, jo”, u shpreh ajo.