Këngëtarja e njohur, Albina Kelmendi, ka qenë mëngjesin e sotëm e ftuar në studion e “Wake Up”. Artistja ka folur se si erdhi bashkëpunimi i saj me Aurela Gaçen, “Motra jem”.

“Njerëzit janë mësuar të na shohin me atë shpërthimin. Jam e lumtur që u realizua bashkëpunimi me Aurelën. E kam dashur gjithmonë këtë bashkëpunim, sepse unë jam rritur me të, duke u inspiruar nga një artiste si Auela. Jam e lumtur që jetoj në epokën e saj, në kohën e saj dhe ta kem si dëshmi një bashkëpunim me Aurelën. Më vjen mirë që pranoi ftesën time. Unë jam pak e turpshme kur vjen puna për të kërkuar një bashkëpunim. I kam frikë refuzimet, duke marrë parasysh se Aurela ka pasur shumë angazhime. Me Aurelën kam komunikim sepse më ka mbështetur që nga koha e The Voice, që kur kam filluar të këndoj. ‘Motra’ është edhe e kontekstit Kosovë dhe Shqipëri. Kënga i dedikohet dashurisë më të sinqertë siç është motra për motrën, vëllai për motrën, por edhe si dy motra që jemi një komb, por jemi fatkeqësisht dy shtete”, tha Albina.

E pyteur se ‘si e ka pritur publiku?’, Kelmendi u përgjigj:

“Publiku e ka pritur jashtëzakonisht mirë, përveç faktit që prisnin diçka ritmike. Por është mirë kur publiku pret diçka totalisht ndryshe dhe ti e befason. Është një këngë shumë shpirtërore, që ka ndjenjë shumë të veçante brenda, sidomos për Aurelën që e ndiente më afër se unë, sepse e ka motrën në Amerikë, unë i kam aty afër. Ishte ndjesi e veçantë”.

Gjithashtu këngëtarja e dashur për publikun u shpreh se për videoklip kanë dashur diçka të thjeshtë, të pastër dhe shumë shpirtëror.

“Mezi gjetëm një ditë të përbashkët që të bëhemi bashkë, por gjithçka ka shkuar shumë mirë. Sa më thjesht aq më bukur”, tha Albina Kelmendi.