Shqiptarja Flavia Zaka ka tërhequr vëmendjen e mediave gjermane, pasi mund të marrë rolin e Zonjës së Parë të landit Baden-Württemberg nëse bashkëshorti i saj, Cem Özdemir, zgjidhet kryeministër. Interesi për të është rritur veçanërisht pas martesës së çiftit, e cila u zhvillua në Tübingen vetëm dy javë para zgjedhjeve. Fotot nga ceremonia dhe nga paraqitjet e tyre publike u përhapën shpejt në rrjetet sociale. Zaka u pa përkrah partnerit të saj edhe gjatë një aktiviteti për shtyp të organizuar në Stuttgart, ku tërhoqi vëmendjen e fotografëve.
Historia personale e Flavia Zakës nis në Shqipëri, por në moshën 12-vjeçare ajo emigroi me familjen në Canada. Atje ndërtoi karrierën e saj si avokate, duke u fokusuar kryesisht në çështjet e mjedisit dhe të drejtave të njeriut. Gjatë viteve ka punuar si për institucionet qeveritare kanadeze, ashtu edhe për organizata joqeveritare.

Përveç angazhimit profesional, ajo është përfshirë edhe në projekte sociale. Zaka ka drejtuar iniciativa kundër trafikimit të qenieve njerëzore në provincën e Ontario, ka dhënë mësime yoga në mënyrë vullnetare në një repart psikiatrik dhe ka ndihmuar studentë të drejtësisë në përgatitjet për gara ndërkombëtare juridike.
Mediat gjermane raportojnë se Zaka dhe Özdemir u njohën rastësisht gjatë një feste në Stuttgart. Njohja u kthye më pas në një lidhje serioze, e cila e çoi Zakën të marrë vendimin për të lënë Kanadanë dhe për t’u zhvendosur në Gjermani. Që nga viti 2025 ata jetojnë së bashku në Stuttgart.
Ajo ka treguar gjithashtu interes për kulturën dhe gjuhën gjermane, duke përmendur shpesh dashurinë për poezinë e Rainer Maria Rilke. Megjithëse ende nuk ka bërë të ditur se si do ta formësojë rolin e saj nëse bëhet Zonja e Parë e landit, Flavia Zaka është shprehur se dëshiron të vazhdojë angazhimin në projekte sociale dhe në çështje që lidhen me komunitetin. Nëse Cem Özdemir merr drejtimin e Baden-Württembergut, ajo pritet të gjejë mënyrën e saj për t’u përfshirë në jetën publike të landit.





