Ish-futbollisti, Eros Grezda, ka qenë një ditë më parë në një lidhje të drejtpërdrejtë me emisionin “She’s on Air”, në Top Albania. Ai ka treguar për momentin më të veçantë dhe kulminant të karrierës së tij.
“Momenti më kulminant në karrierën time do të thoja kur kam kaluar te Rangers. Ka qenë një moment si për mua ashtu dhe familjen time, moment krenarie, sepse kam qenë shqiptari i parë që ka nënshkruar me klubin më të trofeshëm në botë. Normalisht që do ta vlerësoja dhe pastaj golin kundrejt Turqisë, goli im i parë me Turqinë. Ka pasur dhe momente të tjera, por do të veçoja këto të dyja”, tha Grezda.
Por jo vetëm kaq, pasi moderatoret e ngacmuan edhe me disa pyetje ‘pikante’ në lidhje me dashurinë dhe vajzat.
“Eros do më thuash emrin e vajzës më të bukur dhe seksi të showbiz-it, si e mendon ti?”, ishte një nga pyetjet drejtuar atij.
“Si në Kosovë, si në Shqipëri kemi ekstremisht vajza të bukura. Mirëpo nuk e di, se mund të jetë edhe e lidhur dhe nuk dua të them një gjë…”, u përgjigj ai fillimisht.
“Ne po bëjmë thjesht një bisedë miqësore, kështu që një vajzë qoftë në muzikë, qoftë në televizion. Pra një personazh publik që ty të duket hot”, këmbëngulën moderatoret.
“Po ka shumë”, tha Eros, ndërkohë Erjola Doçi ia kthen: “Ai është diplomat, po unë nuk lë pa i marrë emra. Nëse ti nuk do të japësh një, do më thuash dy pra. A apo B? Kush janë femrat më hot sipas teje në estradën shqiptare?”.
“Ok, mund të themi Xhensilën dhe Sindi Myftari”, u përgjigj më pas Grezda.


