Aktori legjendar, Anthony Hopkins, ka rrëfyer së fundmi për momentin e errët që i ndryshoi jetën përgjithmonë, kur vendosi që të ndalojë alkoolin dhe të fillojë të jetojë me qëllim.
Gati pesë dekada pa prekur alkoolin, fituesi i çmimit “Oscar” ka treguar për herë të parë se si arriti të shpëtojë nga varësia që mund t’i kishte marrë jetën.
Në një intervistë për “The Interview”, 87-vjeçari tregoi se vendimi për të ndalur erdhi pas një momenti tronditës në Kaliforni, kur po ngiste makinën i dehur, pa kujtesë se ku ndodhej.
“Isha në një blackout të plotë, duke drejtuar makinën time në Kaliforni, pa e ditur ku po shkoja. Në atë moment kuptova se mund të kisha vrarë dikë – ose veten time. Nuk më interesonte shumë për veten, por mund të kisha vrarë një familje të tërë”, u shpreh aktori.
Pas kësaj ngjarjeje, ai vendosi të kërkonte ndihmë. Hopkins kujton se në një festë në Beverly Hills i kishte thënë ish-agjentit të tij: “Më duhet ndihmë”.
Pak më vonë, ai telefonoi një grup mbështetjeje në Los Angeles, që punonte me programin e njohur 12-hapësh, dhe vendosi të shkonte personalisht në takim.
Në atë takim, ai thotë se përjetoi një moment ndriçimi shpirtëror.
“Dëgjova një mendim të thellë që më tha: ‘Gjithçka ka mbaruar. Tani mund të fillosh të jetosh dhe gjithçka ka qenë për një arsye. Mos harro asnjë moment të saj.’ Menjëherë pas kësaj, dëshira për të pirë më iku krejt”, kujtoi Hopkins.
Aktorit beson se ajo që ndodhi ishte një ndërhyrje hyjnore.
“Nuk kam teori, përveç se ishte diçka hyjnore. Një fuqi që të gjithë e kemi brenda vetes – forca e jetës, ndërgjegjja. Kjo më shpëtoi”, shtoi ai.
Hopkins pranoi se dikur pinte “për të mpirë dhimbjen e brendshme” dhe se alkooli i jepte ndjesinë e fuqisë.
“E dija që do të më vriste. Po pija sikur të ishte në modë”, tha ai me sinqeritet.
Në dhjetor të vitit të kaluar, aktori i njohur për rolin e tij në “The Silence of the Lambs” festoi 49 vjet pa alkool me një video në “Instagram”, ku ndau me ndjekësit një mesazh frymëzues:
“49 vjet më parë ndalova… E kuptova se isha në telashe të mëdha, sepse nuk mbaja mend asgjë. Po ngisja makinën i dehur jashtë çdo kontrolli. Dhe atë ditë fatale kuptova se më duhej ndihmë – dhe e mora”.





