Një gur i zbuluar në thellësitë e detit pranë një ishulli të largët norvegjez mund të ndryshojë njohuritë mbi mënyrën se si njerëzit lundronin mijëra vite më parë.

Arkeologët kanë gjetur një gur me peshë rreth 30 kilogramë, i cili dyshohet se mund të jetë spiranca më e vjetër e zbuluar ndonjëherë. Objekti u lokalizua në vitin 2025, në një thellësi prej rreth 20 metrash, pranë ishullit Hespriholmen të Norvegjisë.

Ajo që ka tërhequr vëmendjen e studiuesve është një brazdë rreth gurit, e cila mund të ketë shërbyer për lidhjen e një litari dhe mbajtjen e qëndrueshme të mjeteve lundruese. Guri u gjet pranë një guroreje të lashtë, që besohet se ka funksionuar ndërmjet 5 mijë dhe 9 mijë viteve më parë.

Nëse hipoteza konfirmohet, zbulimi mund të dëshmojë përdorimin e spirancave që në Epokën e Gurit, shumë përpara shembujve të konfirmuar nga Epoka e Bronzit. Arkeologu Leif Inge Åstveit, nga Universiteti i Bergenit, shprehet i bindur se objekti është përdorur si spirancë.

Sipas studiuesve, banorët e lashtë shfrytëzonin gurët e ishullit për prodhimin e sëpatave, të cilat më pas transportoheshin drejt zonave të tjera. Për këtë arsye, një spirancë mund të ketë qenë e domosdoshme për stabilizimin e varkave gjatë ngarkimit.

Ekspertët nuk përjashtojnë mundësinë që njerëzit e asaj periudhe të përdornin mjete lundruese prej lëkure ose gomone primitive. Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se zbulimi mbetet ende një hipotezë, e cila duhet të konfirmohet përmes studimeve dhe vlerësimeve të mëtejshme shkencore.