Një nga aromat më kokëforta në çdo shtëpi është era e tymit të duhanit. Fatmirësisht, ekziston një truk i thjeshtë që e zgjidh shpejt këtë problem. Bloggerja britanike Sophie Hinchliffe shpesh ndan këshilla për mirëmbajtjen e shtëpisë, por një truk i vjetër nga komuniteti i saj është bërë hit i vërtetë. Një grua ishte ankuar se shtëpia ku ishte sapo shpërngulur ishte plot me erë duhani të mbetur nga pronarët e mëparshëm. Njerëzit i kishin sugjeruar gjithçka, nga lyera e mureve deri te rinovimi i plotë, por asgjë prej këtyre nuk ofronte zgjidhje të shpejtë.
Nga moria e propozimeve u veçua më i thjeshti; i ashtuquajturi sapun me sheqer për pastrim të mureve. Ky produkt heq shtresën e nikotinës që është grumbulluar për vite të tëra nëpër sipërfaqe dhe jep rezultat menjëherë. Rekomandohet që nga dhoma të hiqen tekstilet, perdet, jastëkët, batanijet dhe qilimat, sepse pikërisht këto e përthithin më shpejt erën. Vetëm pas kësaj ia vlen të pastrohen muret dhe të gjitha sipërfaqet e sheshta.
Janë shfaqur edhe sugjerime të tjera, si bojërat që bllokojnë aromat ose lënia e enëve me qepë të copëtuar në çdo dhomë për të “thithur” aromat e pakëndshme. Por shumica e këtyre trukeve kërkojnë kohë dhe nuk janë as të këndshme, as praktike. Për situata kur ju duhet një zgjidhje e shpejtë, rezultatin më të mirë e japin tre gjëra; enët me qymyr aktiv, tasat me uthull dhe disa pika vaj esencial në ujë të ngrohtë. Të treja neutralizojnë erën, në vend që ta mbulojnë, dhe veprojnë brenda gjysmë ore. Në kombinim me një ajrosje të shkurtër, dhoma merr një aromë të pastër e të thatë, edhe pse pak më parë ka qenë plot mysafirë që kanë tymosur.




