Muzikanti amerikan Machine Gun Kelly ka ngritur shqetësim tek fansat pas një deklarate befasuese në një intervistë, ku ai pranoi se “nuk ha pothuajse fare”. “Unë realisht nuk ha. Thjesht pij shumë ujë”-tha 35-vjeçari. Kur ata e pyetën nëse kjo do të thoshte që ai po agjëronte, MGK e mohoi dhe sqaroi më tej: “Për shembull, hëngra një hamburger sepse po transmetonim ‘live’, dhe thashë ‘ok, do të ha’. Por po të mos ishte për transmetimin, me siguri do të kisha pirë vetëm ujë”.
Moderatorët, të habitur nga deklarata, e pyetën se si ndihej fizikisht. “Po, ndonjëherë ndihem keq. Por në përgjithësi ha vetëm disa herë në javë”-u përgjigj ai. Machine Gun Kelly zbuloi se dieta e tij bazohet kryesisht në lëng kockash të zier, të cilin e kombinon me kimchi dhe lakër turshi. Kimchi është një ushqim tradicional korean me perime të fermentuara, zakonisht lakër kineze dhe rrepë koreane.
Në listën e përditshme të konsumit të tij përfshihen edhe lëngu i selinos, uji i kokosit, kafeja dhe cigaret. Deklaratat e MGK kanë ngjallur shqetësim në rrjet, ku shumë fansa shprehen të bindur se ai mund të jetë duke u përballur me një çrregullim në të ushqyer.



