Të ftuar në pjesën e dytë të emisionit “Ndryshe” me Salsano Rrapi dhe Elona Duro kanë qenë Ilir Shaqiri dhe Ledja Liku, të cilët do të sjellin së shpejti projektin e tyre më të ri “Yjet e Diasporës” në ekranin e Top Channel.

“Yjet Shqiptarë të Diasporës” është një talent show që ka si qëllim zbulimin dhe përzgjedhjen në të gjithë kontinentin Europës, por edhe më gjerë, të talenteve të rinj shqiptarë ose me origjinë shqiptare. I gjithë ky realizim ka ndodhur gjatë dhjetorit të vitit 2023, ku idea ka qenë si fillim e Ilirit. Më pas, siç të ftuarit u shprehën, janë bërë bashkë nëpërmjet Ledion Liços, i cili edhe i ka ndihmuar ta sjellin projektin në jetë.

Producentja Ledja Liku vijoi si më poshtë:

Na ka bërë së bashku Ledion Liço. Ledioni është personi që na mbikëqyr dhe madje është personi i cili në të gjithë projektin ka një dorë shumë të rëndësishme dhe të padukshme. Përveç se ai na ka bërë bashkë, është ai personi që na ka dhënë shumë ide se si mund të realizohet, sepse është tepër e vështirë të realizosh një projekt të tillë sidomos në Europë. Ne vetëm katër persona kemi qenë. Ledioni është producent shumë i mirë dhe e njeh televizionin në çdo hallkë. Unë dua të them të vërtetën. Nuk ka dalë fare në këtë projekt, por ka një dorë shumë të rëndësishme me të gjithë strukturën e projektit.

I pyetur se si lindi e gjithë ideja fillestare, Ilir Shaqiri, i cili është edhe moderator i këtij programi, u përgjigj:

Kjo lind si një ide thjesht e asaj që është puna ime në Itali, sepse shumë herë kam rastisur në masterclass, workshop që bëj me fëmijë shqiptarësh. Shumë herë si ata, si nëna, si babi i tyre, kërkonin një lloj prezantimi për fëmijët. Thjesht pse nuk na e adresoni diku që të njihen, kush është potenciali i tyre dhe kështu nisi ajo që ishte. Unë fillimisht doja të bëja një konkurs në Romë, pikërisht ajo që sot është “Yjet Shqiptarë të Diasporës”. Siç tha edhe Ledja, pas “Dancing With The Stars” të edicionit të fundit, i shkova në zyrë Ledionit dhe i thashë ‘dua të tregoj me 10 fjalë një ide që kam’ dhe në 10 fjalë mjaftuan 10 sekonda që Ledioni të thoshte ‘po, ja vlen’. Gjëja realisht ja vlen, sepse vlen edhe falë Ledjas që është këtu. Unë ja them që po të mos kishte qenë ky person (Ledja), ky program do ishte i pamundur, sepse kërkon aq shumë dedikim nga ana le të themi e produksionit, që në këtë rast është pikërisht Ledja, sa s’ka më. Nuk është thjesht ta krijosh, ta ideosh, ose ta ëndërrosh diçka, por edhe ta materializosh. Ta zbatosh është shumë e vështirë. /Top Albania Radio/