Lajmi i hidhur për ndarjen nga jeta të Eldion Kelmendit, vëllait të artistit Besart Kelmendi (Gjesti), ka prekur thellë opinionin publik dhe njerëzit e afërt me familjen. Ndër ta, ka reaguar edhe aktori i njohur Laert Vasili, i cili ka shprehur ngushëllimet për humbjen e parakohshme që goditi familjen Kelmendi.
“Ndarja nga jeta e vëllait të Besartit, në një moshë kaq të hershme, na ka tronditur të gjithëve. I shpreh ngushëllimet e mia më të sinqerta Besartit dhe familjes Kelmendi për këtë humbje të madhe e të papritur,” ka shkruar Vasili në një postim prekës në rrjetet sociale.

Në një video të shpërndarë në internet, aktori shihet duke e përqafuar Besartin dhe duke e puthur në ballë, si një gjest mbështetjeje në këto ditë të vështira për të dhe familjen e tij.
Ngjarja e rëndë ndodhi pasditen e së premtes në fshatin Qungur të Pejës, ku një motor u përplas me një veturë në një kthesë të rrugës. Eldion Kelmendi, vëllai i vogël i Gjestit, ka humbur jetën në vendin e ngjarjes, ndërsa një tjetër person, me iniciale K.B., është plagosur rëndë dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve në Spitalin Rajonal të Pejës.
Banorët e zonës kanë treguar për momentet e para pas aksidentit dhe kanë shprehur tronditjen e tyre për këtë humbje, duke kërkuar që autoritetet të zbardhin plotësisht rrethanat e ngjarjes.
Ndërkohë, Gjesti, fituesi i edicionit të fundit të Big Brother VIP Albania, ende nuk ka reaguar publikisht. Gjatë kohës së qëndrimit të tij në shtëpinë më të famshme në vend, ai kishte treguar shpesh për lidhjen e ngushtë me vëllain e tij, i cili sot nuk jeton më.