Dy anëtarë të stafit në hotelin në Buenos Aires ku humbi jetën Liam Payne po hetohen nën akuzën se kanë furnizuar me droga të forta këngëtarin në ditët para tragjedisë.

Mediat e huaja shkruajnë se ata dyshohet se kanë dërguar lëndë narkotike të ndryshme në suitën e këngëtarit të famshëm.

Një pastrues dhe një anëtar tjetër i stafit thuhet se kanë fshehur drogën në kutinë e sapunit, të cilën detektivët e gjetën në dhomën e 31-vjeçarit pas vdekjes së tij.

Pluhur i bardhë, kristal, tableta dhe pajisje të tjera u gjetën në suitën e katit të tretë. Policia i ka dërguar kimikatet, që dyshohet se janë kokainë, për analiza.

Ndërkohë menaxheri i “CasaSur” raportohet se është vendosur në dijeni për sjelljen e pazakontë të dy anëtarëve të stafit dhe ka shkarkuar njërin prej tyre.

Detektivët gjithashtu kanë marrë në pyetje menaxherin për rolin e tij të mundshëm në vdekjen e Payne.

“Ishin dy djem në hotel që i jepnin Liam drogë”, ka zbuluar një mik i ngushtë i këngëtarit.

Ndërsa shtoi: “Ata dërguan taksi që të merrnin drogë. Një nga djemtë punonte në departamentin e pastrimit. Pasi Liam vdiq, u vu re se një taksi ishte dërguar në adresën e shtëpisë së pastruesit. Menaxheri i hotelit e pyeti pse taksia kishte shkuar në shtëpinë e tij dhe kur ai nuk mundi të jepte një shpjegim u pushua nga puna. Pastruesi dhe një anëtar tjetër i stafit janë marrë në pyetje nga policia. Liam po bënte gjithçka për të konsumuar drogë e alkool, por sapo mbërriti në hotel këta njerëz ia ofruan”.

Ndërkohë hetuesit kanë kërkuar që të bëhet një ekzaminim i plotë toksikologjik përpara se trupi i 31-vjeçarit t’i dorëzohet familjes së tij dhe të riatdhesohet në Britani të Madhe.

Trupi i ish-yllit të “One Direction” pritet të qëndrojnë në Argjentinë deri në 15 ditë derisa të dalin rezultatet e autopsisë.

Sipas një raporti mjekoligjor, një ditë pas vdekjes, u tha se këngëtari humbi jetën nga plagët e shumta pas rënies nga kati i tretë i hotelit.

Por, prokurori Marcelo Roma, ka kërkuar që të kryhen studime histopatologjike, biokimike dhe toksikologjike, për të konfirmuar nëse muzikanti ishte i droguar dhe i dehur.

Geoff Payne, babai i Liamit, mbërriti në Buenos Aires javën e kaluar për të identifikuar djalin e tij dhe për të përgatitur procedurat për riatdhesimin e eshtrave të tij në MB për varrim.