Aktorja fituese e çmimit Oscar, Natalie Portman, është bërë nënë për herë të tretë.

Lajmi është bërë i ditur pasi janë publikuar fotografi ku aktorja shfaqet në Paris me partnerin e saj, muzikantin Tanguy Destable, i cili mban në një transportues foshnjën e tyre të porsalindur.

Sipas fotografive të siguruara nga Page Six, çifti është parë duke shëtitur në rrugët e Parisit, ndërsa Destable kujdesej për të porsalindurin.

Portman dhe partneri i saj 46-vjeçar kanë preferuar ta mbajnë lidhjen e tyre larg vëmendjes së publikut që prej fillimit të lidhjes në vitin 2025. Aktorja njoftoi shtatzëninë e saj në prill.


Në një intervistë për Harper’s Bazaar, Portman foli për emocionet e saj për zgjerimin e familjes, duke e cilësuar këtë përvojë si një “privilegj” dhe “mrekulli”.

“Unë dhe Tanguy jemi shumë të emocionuar”, ishte shprehur aktorja, duke shtuar se kjo ishte “ndoshta hera e fundit” që do të ishte shtatzënë.

“Këtë herë ka një qetësi dhe, duke e njohur veten, e di me kë dua të kaloj kohë, çfarë lloj energjie dua përreth meje. Kjo është ajo që e bën përvojën kaq të bukur çdo ditë”, kishte thënë ajo.

Familja e Natalie Portman

Natalie Portman jeton në Francë që prej vitit 2014. Ajo ishte e martuar me balerinin dhe koreografin Benjamin Millepied, me të cilin ka dy fëmijë: djalin Aleph, i lindur në vitin 2011, dhe vajzën Amalia, e lindur në vitin 2017.

Martesa e tyre përfundoi në vitin 2023 dhe divorci u finalizua në shkurt të vitit pasardhës. Portman dhe Millepied ndajnë kujdestarinë e fëmijëve.

Ndërkohë, lidhja e Portman me Tanguy Destable u bë publike në mars të vitit 2025, kur të dy u fotografuan së bashku për herë të parë.

Destable, i njohur me emrin e tij artistik Tepr, ka qenë më parë në një lidhje me aktoren Louise Bourgoin, me të cilën ka dy djem.