Futbollisti uellsian Ioan Evans ka ndërruar jetë papritur në moshën 25-vjeçare, lajm që është konfirmuar zyrtarisht nga klubi i tij, Afan Lido. Ngjarja ka tronditur thellë komunitetin e futbollit në Uells, ku Evans konsiderohej një prej lojtarëve më të dashur dhe më përfaqësues të skuadrës.

Evans iu bashkua Afan Lido në vitin 2020 dhe gjatë viteve të aktivizimit të tij zhvilloi 127 ndeshje zyrtare, duke shënuar 16 gola. Përkushtimi dhe lidershipi i tij u reflektuan edhe në faktin se në disa raste mbajti shiritin e kapitenit, duke qenë një pikë reference për bashkëlojtarët.

Në reagimin e klubit thuhet se Evans ishte një njeri i përkushtuar, me karakter dhe gjithmonë i gatshëm të sillte energji pozitive dhe buzëqeshje brenda e jashtë fushës.