Kyle Kennedy, mbesa e politikanit të njohur amerikan Robert F. Kennedy dhe Ethel Kennedy, është ndarë nga jeta në moshën 42-vjeçare. Ajo ndërroi jetë më 21 shtator në banesën e saj në Westwood, Massachusetts. Ceremonia mortore u zhvillua në mënyrë private, në prani të familjarëve të saj më të afërt.
Sipas raportimeve nga mediat e huaja, shkaku i vdekjes nuk është bërë publik. Vitet e fundit, Kyle kishte përballuar probleme të rënda shëndetësore, pasi në vitin 2020 pësoi një dëmtim serioz të shtyllës kurrizore, i cili i shkaktoi pasoja afatgjata dhe vështirësi të mëdha në jetën e përditshme. Pavarësisht sfidave shëndetësore, ajo u përpoq të ruante forcën dhe humorin e saj, duke u përkushtuar ndaj familjes dhe veçanërisht ndaj fëmijëve të saj.
Pas dëmtimit, Kyle u angazhua gjithashtu në mbështetjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara. Jeta e saj ishte shënuar edhe nga humbje të dhimbshme familjare. Babai i saj, Michael L. Kennedy, avokat dhe biznesmen, humbi jetën në një aksident me ski në Aspen të Kolorados, në vitin 1997. Gjyshi i saj, Robert F. Kennedy, ish-prokuror i përgjithshëm i Shteteve të Bashkuara dhe senator, u vra në vitin 1968 gjatë fushatës presidenciale.
Kyle kishte përjetuar gjithashtu humbjen e vajzës së saj, Josie, e cila ndërroi jetë pak ditë pas lindjes. Ajo lë pas dy djemtë e saj, Connor, 12 vjeç, dhe Declan, 10 vjeç, ish-bashkëshortin Liam, nënën Victoria dhe dy vëllezërit, Michael dhe Rory. Vdekja e saj shënon një tjetër humbje për familjen Kennedy, një nga dinastitë politike më të njohura në historinë amerikane.
